Krsto Lazarevic jep votën për herë të parë në zgjedhjet parlamentare në Gjermani. Nuk bëj pjesë në grupin që u intereson partive, thotë ai. Shumë të rinj nuk votojnë, sepse asnjë parti nuk bën politikë për ta.

Edhe Bertolt Brecht e dinte, se pasaporta është elementi më i fismë i njeriut. Pasaporta gjermane madje një nga më të fismet. Mund të udhëtosh pa problem nëpër botë dhe kur kthehesh në shtëpi, i anashkalon pasagjerët e tjerë për t’u renditur tek qytetarët e BE-së. Por më e mira e pasaportës gjermane, është që mund të japësh votën në zgjedhjet parlamentare. Së paku kjo më është thënë, kur para tre vitesh mora pasaportën gjermane, pra për herë të parë kam të drejtë të zgjedh se kush do të më përfaqësojë në Bundestag.

Nuk është shumë larg – edhe shtatë javë, pllakatet e para zgjedhore kanë filluar të shfaqen në rrethinat e mia. Po pse duhet që partitë të vrasin mendjen me një program që u thotë diçka edhe të rinjve. Gjenerata ime nuk e përfytyron dot një Gjermani pa Angela Merkelin në krye. E pse të jetë ndryshe? Ekonomia rritet, borxhe nuk merren më.

Politikë për elitat

E megjithatë ka disa gjëra që duhen thënë: Kështu në lagjen time në Berlin brenda pesë vjetësh çmimet e qirave janë dyfishuar. Edhe kjo sigurisht të çon në rritje ekonomike, por për shkak se unë paguaj qira, kjo më rëndon xhepin.

Të bësh fëmijë? Me çmimet aktuale për një apartament tri-dhomësh në metropolet gjermane zor se ia dalin edhe ata që kanë rroga të mira. As instrumenti politik për frenimin e rritjes së qirave nuk solli ndonjë përmirësim. Ekonomia rritet edhe sepse shumë të rinj e fillestarë në tregun e punës robiten për një rrogë të vogël me kontrata të përkohshme dhe as nuk mund t’i ëndërrojnë ato të drejta punëtori që kishin prindërit e tyre. Në sektorin e rrogave të ulta punojnë më shumë gratë se burrat, të varfrit, migrantët dhe të rinjtë. Këta janë pikërisht tre grupet që shkojnë më pak në votime, dhe ata dhjetë milionë që jetojnë në Gjermani, por nuk lejohen të votojnë. Por kush nuk shkon të votojë, nuk ka kush ia përfaqëson interesat.

Se sa pak i intereson CDU-së së Merkelit kjo pjesë votuesish e kuptonë qartë në një tweet të Sekretarit të Përgjithshëm të CDU-së, Peter Tauber. “Po qe se do të kishit mësuar një profesion për të qenë, nuk do t’iu duheshin tre punë të ndryshme.”…Në fakt mund të fillosh të debatosh, nëse studimet e Tauberit për histori janë diçka “për të qenë”. Më e rëndësishme është që në këtë shprehje pasqyrohet mentaliteti i partive të Unionit. Ato bëjnë politikë vetëm për elitat. Kush nuk ia del dot është vetë fajtor.

Sipas Institutit të Studimeve të Agjencisë Federale të Punës, 53% e punëve me rroga të ulta kryhen nga njerëz me shkollë profesionale madje edhe nga akademikë.

Pak përpjekje të partive për votuesit e rinj

“Por të rinjtë e kanë vetë fajin që nuk shkojnë të votojnë”, do të ngrejë zërin dikush. Gabim! Partitë janë fajtore, sepse bëjnë shumë pak përpjekje për të folur për temat e të rinjve. Të rinjtë nuk votojnë, sepse asnjë parti nuk bën politikë për ta. Kur flitet në shou të dielash për temat e „të rinjve” nuk shkohet më larg, se kërkesat për „më shumë fonde për arsimin”. Bukur, po pse deri më tani universitetet e shkollat e këtij vendi vuajnë nga problemet e financimit? E çfarë do të bëjmë me këtë arsim të përmirësuar?

Mund të qëndrojmë në universitet e të punojmë me vite në marrëdhënie pune të vështira, me shpresën se një ditë mund ta kapim një profesurë të ëndërruar? Mund të bëjmë praktika jo që të mbledhim përvojë, por për të zëvendësuar një vend pune por me më pak kosto? Mund të kalojmë nga kontrata në kontratë, me dijen se në rast krize, jemi të parët që nxirremi në rrugë, sepse kolegëve më të vjetër u takojnë dëmshpërblime më të larta – privilegje të një kohe kur sigurimi social kishte ende vlerë? Mund të themelosh një start-up, do të të thonë…problem është se shumica e start-ups nuk kthehen në facebookun e ri, por dështojnë?

Ne paguajmë çdo muaj në një siguracion pensioni, megjithëse e dimë, se kemi për të përfituar shumë pak. Arsyeja e thjeshtë – Grupmosha nga 18-30 vjeç është më pak e rëndësishme, se pensionistët e para-pensionistët. Falë demografisë çdo gjë mbetet tek e vjetra…deri sa kjo tullumbace të pëlcasë. Por ne nuk e prekim këtë temë. Kemi ç’flasim …ja për shoferët fatkeqë, që ndoshta pas pak kohësh nuk do të mund të kalojnë dot më “Porsche Cayenne” nëpër Shtutgart. Unë as nuk kam automjet.

Nuk jam grup që i intereson politikës

Ka disa që mund të thonë – „vetë fajtor, idiot, të kishe studiuar diçka për të qenë dhe jo shkenca politike”. Por edhe inxhinierët, mjekët dhe juristët në rrethin tim nuk i kanë punët më mirë. Ata nuk fitojnë aq keq, por i zë gjumi me birrën e parë pas pune, sepse kthehen nga puna në orën 22:00 dhe mëngjesin tjetër dalin në orën 06:00 nga shtëpia. Por prapë…më së miri të bësh karrierë e tre fëmijë në të njëjtën kohë, dhe gjumin dhe kohën e lirë mund ta shtysh në kohën e pensionit, që ne do ta fillojmë në vitin e 78-të jetës.

Pra, unë do të votoj për herë të parë në këto zgjedhje, por kjo nuk i intereson kujt. 28 vjeç, marrëdhënie pune të pasigurta, sfond migrimi – unë nuk jam „target-grup” për partitë e mëdha.

E nuk ka rëndësi. Po qe se këto javë nuk publikohet ndonjë lajm që Merkel ishte pjesë e Stasit apo ka vrarë ndokënd, ajo do të mbetet kancelare gjermane…madje edhe në rast të lajmeve të tilla, ajo do të kishte më shumë shanse se Martin Schulz…më zgjoni ju lutem pas katër vitesh, nëse ka ndonjë gjë më interesante!

Krsto Lazarevic ka lindur në Bosnje-Hercegovinë dhe ka ardhur si fëmijë me familjen në Gjermani. Sot ai jeton në Berlin dhe shkruan për shumë media gjermane.

/Deutsche Welle