AVOKATI

Ky është avokati Ardian Dauti nga Vlora. Për të Gjykata e këtij qyteti me kërkesë të Prokurorisë ka vendosur masën e arrestit.

Ai akuzohet për mashtrim në rrethana rënduese. Sipas Prokurorisë së Vlorës ai ka mashtruar një familje të cilës iu dogjën dy fëmijë si pasojë e një zjarri të rënë në shtëpinë e tyre.

Në janar të vitit 2011 në lagjen “24 Maji” banesa e familjes Lela u dogj plotësisht sëbashku me dy fëmijet Kristaq dhe Brishela Lela përkatësisht 3 dhe 4 vjeç, të cilët u asfiksuan nga tymi. Në atë kohë u tha se, shkak i zjarrit ishte një ngrohëse e harruar ndezur. Por nga hetimet rezultoi që shkak të kishte qënë luhatja e tensionit.

Për këtë arsye familja Lela hodhi në gjyq kompaninë çeke “CEZ Shpërdarje”, duke e akuzuar si shkaktare të zjarrit. Si përfundim familja Lela e fitoi betejën ligjore me çekët dhe iu caktua nga gjykata  një dëmshpërblim prej 22 milionë lekë të reja.

Pikërisht këtu ka filluar dhe mashtrimi i avokatit Ardian Dauti. Në llogaritë e prindërve të dy fëmijve të djegur kanë përfunduar vetëm 5 milionë lekë të reja. Ndërsa pjesa tjetër prej 17 milionë është kaluar në llogarinë e avokatit, Ardian Dauti. Duke qenë në dijeni të këtij fakti familja ka kallzuar avokatin, ndërsa Prokuroia kërkon arrestimin e tij. Urdhër – arresti ende nuk është ekzekutuar pasi policia nuk ka arritur ta gjejë, Dautin.

Tv Klan