Një emigrant i paligjshëm shqiptar është dënuar në Britani për shkak se kultivoi 214 bimë kanabis në një fabrikë në Bideford.

Durim Salliu, 23 vjeç, kishte shkuar në Britani i fshehur në një kamion. Për shkak të situatës së rëndë ekonomike dhe pa shtëpi ra pre e një bande kriminale shqiptarësh që i ofruan punë, ushqim, para dhe shtëpi.

Ai u dërgua në një zonë industriale në Nuttaberry Yard. Banda i siguroi atij ushqim dhe e urdhëruan që të kujdesej për tre dhoma ku rritej kanabis.

Policia tha se punishtet ku ishin vendosur ‘plantacionet’ e kanabisit nga jashtë dukeshin si servise makinash.

E vetmja mundësi që të futeshe në ‘plantacionin’ e drogës ishte nëpërmjet disa shkallëve ku jetonte 23 vjeçari vetëm.

Prokurori i çështjes, Tom Bradnock, tha se Salliu i kishte lënë autoritetet të hynin në dhomat e rritjes nga apartamenti i tij. Aty policia sekuestroi 214 bimë kanabis sativa të cilat ishin rritur nga 60 deri në 90 centimetra të larta dhe ishin shumë afër pjekjes.

Dhomat ushqeheshin me një sistem elektrik të zgjeruar, fuqia të cilës shkonte në 64 600 watt. Vlera e e lëndës narkotike mund të shkonte nga 60,000 deri në 180,000 paund kur të dilte në treg.

Salliut i ishte thënë që do të paguhej 1500 paund, por nuk mori asgjë. Ai pranoi para gjykatës kultivimin e kanabisit dhe u dënua nga gjykata me 9 muaj burg.

Gjykata ka vendosur se 23 vjeçari mund të deportohet për në Shqipëri gjatë dënimit, ose pas shlyerjes së tij.

/tvklan.al