Një lojë për telefona celularë mund të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë se si humbim kujtesën pas një farë moshe dhe nga sëmundje të ndryshme.

Me të dhëna të mbledhura deri tani nga dy milionë e gjysmë lojtarë studiuesit thonë se ata mund të jenë më afër gjetjes së një analize diagnostikuese për Alcaimerin dhe forma të tjera të demencës. Demenca është humbje e aftësisë për të menduar dhe si rrjedhim e pengon njeriun në veprimtaritë e përditshme.

Nëse luani një lojë në telefon me anije, ishuj dhe akullnaja, do të ndihmoni neurologët të studiojnë humbjen e kujtesës.

“Është e rëndësishme se është simptoma e parë e raportuar nga pacientët me Alcaimer, kur thonë ‘nuk e di por humba – humba sensin e orientimit”.

Hugo Spiers në “University College London” dhe kolegët e tij krijuan lojën për të analizuar se mirë arrijnë të orientohen lojtarët.

“Ata duhet të shkojnë nga një pikënisje poshtë një lumi, të marrin një pistoletë sinjalizuese dhe të qëllojnë me të në drejtimin nga ku u nisën. Pra duhet të kenë një lloj orientimi, se nga erdhën” shpjegon Spiers.

Loja quhet “Sea Hero Quest”. Kompania “Glitchers” e krijoi atë duke marrë parasysh historinë e përbashkët të familjeve të pacientëve me demencë, thotë drejtori teknik Hugo Scott-Slade.

“Në lojë, komandon një anije për të mbledhur kujtimet për babain tënd. Përshkon itinerarin e tij, në kërkim të kujtimeve të humbura”.

Hulumtuesit thonë se do të ishin dashur 10 mijë vjet për të mbledhur një sasi të tillë të dhënash në laborator, por kjo u arrit shpejt nga miliona lojtarë.

Duke përdorur informacion që lojtarët japin për veten e tyre, studiuesit kanë mësuar se njerëzit fillojnë të humbasin aftësitë për t’u orientuar në moshë të re.

“E shohim atë që nga një moshë e re. Nga 19 deri në 20, 21 e tutje, shohim një degradim të ngadaltë”.

Ata shpresojnë se loja një ditë mund të ndihmojë për të diagnostikuar demencën duke krahasuar rezultatin e një pacienti me ato të miliona lojtarëve të tjerë.