Policia italiane shkatërroi një rrjet italo-shqiptar të trafikut të drogës, nën hetim prej Prillit të vitit 2016. Në pranga ranë 11 persona, mes të cilëve 2 shqiptarë dhe 9 italianë. Arrestimet u kryen mëngjesin e të martës në Ravena. 60 policë kontrolluan banesat e të arrestuarve. 

Emrat e të ndaluarve nuk bëhen të ditur. Por policia tha se 2 prej të arrestuarve iu hoq masa e sigurisë “arrest shtëpie” dhe u dërguan në burg, pasi në banesa iu gjetën 1.7 kg marjuanë, 166 kapsula efedrinë të përdorura për të mbajtur nën kontroll tensionin si dhe 15 mijë euro kesh të përfituara nga shitja e drogës.

Hetimet për grupin kanë nisur që prej vitit të kaluar, kur policia italiane ra në gjurmë të një shqiptari, pjesëtar të këtij grupi që merrej me trafikimin dhe shitjen e sasive të mëdha të drogës. Prej asaj periudhe janë vënë në pranga në total 32 persona, të cilëve u janë sekuestruar afro 34 kg drogë, ndër të cilat 10 kg marjuanë, 23 kg hashash dhe 1.1 kg kokainë.

Tv Klan