avioni

Grupi hetimor i cili po heton trafikun e drogës me avion nga Vlora drejt Italisë është në pritje të disa materialeve nga vendi fqinj. Këto material sipas hetuesve janë kryesisht përgjime të cilat vertetojnë implikimin e dy familjeve Ahmetaj dhe Lamaj në mbjelljen, trasportin dhe shitjen e lëndëve narkotike në zonën e Riminit.

Ky material pritet të mbërrijë në ditët në vijim. Ka dyshime se të tjerë persona të jenë të implikuar në trafik, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali. Prokurorët italian dyshojnë se pjesë e grupit kriminal janë dhe katër shtetas të këtij vendi, identiteti i të cilëve ende nuk është zbuluar. Gjithashtu dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë dyshon se dijeni për trafikun kanë patur dhe drejtues të tjerë të policisë së Vlorës. Përgjimet e kryera ndaj pjestarëve të bandës kryesisht Sokol Lamaj me punonjësin e policisë të arrestuar Vladimir Zanaj rezulton se të tjerë zyrtarë policie ishin në dijeni të asaj çfarë ndodhte në Vlorë.

Megjithatë grupi hetimor shqiptar është mjaft i rezervuar në dhënien e informacionit, pasi i gjithë materili konsiderohet sekret. Janë disa qindra faqe me përgjime të kryera gjatë një muaji hetim të prokurorisë shqiptare.

Ndërsa në Itali përgjimet kanë filluar në muajin mars. Dokumentacioni është mjaft voluminoz dhe vetëm pas mbërritjes së dosjes nga Italia, hetuesit shqiptarë do të mund të kalojnë në një tjetër fazë. Nuk dihet ende se kush nga zyrtarët e policisë së Vlorës kishte dijeni për trafikun, megjithatë gjatë përgjimeve është faktuar se, ishte një ndër drejtuesit e saj. Ndërkohë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe ankesat në Ministrinë e Brendshme nuk ka nisur ende verifikimin për përfshirjen e punonjësve të tjerë të policisë për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor.

Tv Klan