Në redaksinë e emisionit “STOP” ka mbërritur informacioni se në shkollën e fshatit Çermë e Sipërme të Lushnjes, vetëm për periudhën 2013-2014 janë regjistruar 85 nxënës fiktivë, që nuk e kanë parë kurrë derën e shkollës.

Drejtori aktual, Agim Maçi thotë se e ka verifikuar këtë situatë absurde dhe e ka denoncuar, që nga Zyra Arsimore e deri tek organet e drejtësisë. Maçi shpjegon se kishte 7 arsimtarë më tepër dhe klasa me nga 10 nxënës, ndaj nga 16 klasa u bënë 9 të tilla.

Nëndrejtoresha dhe mësuesit nuk pranojnë të flasin për këtë skandal. Ndërsa drejtori i Zyrës Arsimore, Ylli Krakulli, mjaftohet duke thënë se nxënësit janë larguar dhe më këtë shënim të ish – Drejtorit, sipas tij, përfundon kompetenca e kreut të Zyrës Arsimore.

“Unë erdha si Drejtor shkolle këtu më 1 Mars të vitit 2014 dhe puna e parë që bëra është verifikimi i kontigjenit të nxënësve nëpër klasa. Në momentin që erdha unë kishte 16 klasa. Shikoj unë 1, 2, 3 ditë nëpër klasa ishin 9-10 veta, ndërkohë në regjistër rezultonte që ishin 20 nxënës. Vura re që këta nxënës ishin fiktivë, nuk ekzistonin. I verifikova një e nga një të gjithë nxënësit dhe rezultuan se që nga klasa e 9-të deri në klasë të parë, 85 nxënës ishin të regjistruar fiktiv. Vura re që semestrin e parë të gjithë këta ishin të kualifikuar dhe kishin nota deri më 1 Mars kur erdha unë si Drejtor i kësaj shkolle.”

Drejtori Maçi tregon se Nëndrejtoresha e ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke u shprehur se ka qenë drejtori mbi të, ndaj ai pyeti mësuesit, të cilët thanë se iu është bërë presion nga drejtori dhe nëndrejtoresha me vendin e punës, nëqoftëse do të tregonin dhe nuk do të mbanin të regjistruar nxënës fiktivë. Agimi thotë se kërkoi largimin e nëndrejtoreshës, pasi ishte pjesë e një falsifikimi të madh, duke mbajtur 7 arsimtarë më tepër dhe 16 klasa me nxënës fiktivë.

 

“Dhe unë ç’bëra tani. Heshtje institucionale, heshtje nga Zyra Arsimore, që unë shpresoja që ajo do të më zgjidhte problemin, sulmi këndej. U detyrova t’i drejtohem drejtësisë. Unë i pashë këto veprime kriminale, iu ndërpreva llogarinë dhe që nga ai moment unë bëra shënimet përkatëse edhe në regjistër edhe në Amzë.”

Agim Maçi tregon se në shkollën e fshatit Çermë e Sipërme të Lushnjes janë të regjistruar 221 nxënës dhe janë të punësuar 16 arsimtarë. Nisur nga denoncimi i drejtorit të kësaj shkolle, gazetarja e emisionit “STOP” komunikoi me nëndrejtoreshën.

Gazetarja – Ju si nëndrejtoreshë si e keni lejuar këtë gjë?

Nëndrejtoresha

S’është përgjegjësia ime që unë duhet të jap një koment.

Gazetarja – Si nuk është përgjegjësia jote? Është veprimi jot, jo përgjegjësia.

Nëndrejtoresha

Unë s’kam vepruar. Kush ju tha që kam vepruar? Ata nxënës janë nxënës të detyrimit shkollor dhe nuk është përgjegjësia ime. Këtu ka patur drejtor shkolle, unë nendrejtoreshë, duhet të jemi të dy përballë nëqoftëse ka një fakt të tillë, që ju po vini dhe po më bombardoni.

Gazetarja – Besoj se informacionin e ke patur. Si e ke lejuar drejtorin të veprojë kështu sepse ne dimë që drejtori me nëndrejtoreshën bashkëveprojnë bashkë.

Nëndrejtoresha

Po më sill dhe drejtorin këtu dhe të flasim të dy thashë. Unë nuk kam pse prononcohem për diçka që unë nuk kam edhe drejtorin, meqenëse ne kemi vepruar bashkë, sipas denoncimit tuaj gjithmonë.

Nuk është shtuar dhe nuk e kam shtuar unë, është nxënës që vjen nga klasa e 6-të në klasë të 7-të. Nuk është shtuar ky nxënës! Vazhdon detyrimi shkollor…

Gazetarja – Po mirë, përse janë notat këtu në regjistër?

Nëndrejtoresha

Po mos më pyet mua pse janë notat në regjistër!

Gazetarja – Kush i ka vënë këto nota?

Nëndrejtoresha

Ka mësues që japin lëndët…

Duke qenë se nëndrejtoresha ia kaloi fajësinë e këtyre veprimeve mësuesve, gazetarja tentoi të komunikonte me disa prej tyre, por rezultoi e pamundur, pasi asnjë nuk pranoi të përgjigjej.

Gazetarja – Si i keni vendosur notat?

Mësuesja 1

Të lutem shumë, mos mu drejto mua, keni drejtues këtu në shkollë.

Mësuesja 2 

Nuk jam e autorizuar të flas.

Gazetarja – Nga kush ke qenë e autorizuar të vendosësh nota?

Mësuesja 2

Më vjen keq, nuk jam e detyruar të flas.

Gazetarja – Si keni vendosur nota?

Mësuesja 3

Të lutem largohu sepse jam duke punuar për momentin.

Gazetarja – Nuk keni koment për këtë pjesë?

Mësuesja 3

Jo, nuk kam asnjë koment.

Gazetarja e emisionit “STOP” i është drejtuar Zyrës Arsimore në Lushnje, për të komunikuar me Drejtorin e saj, Ylli Krakullin, në lidhje me zgjidhjen e problemit të parashtruar nga drejtori i shkollës së fshatit Çermë e Sipërme të Lushnjes, Agim Maçi.

“Unë e kam informacionin nga Drejtori i shkollës 9 – vjeçare, Çermë e Sipërme, për të ashtuquajturit nxënës fiktivë, siç pretendon drejtori i shkollës. Për rreth 85 nxënës kemi bërë verifikim në prezencë të drejtorit të shkollës dhe pas verifikimeve që kemi bërë, kuptohet kemi bërë edhe bisedime me stafin pedagogjik.”

Drejtori i Zyrës Arsimore Lushnje është shprehur se nxënësit janë larguar nga shkolla sepse kanë emigruar për shkak të pamundësive ekonomike dhe se janë shënuar në Amzë nga drejtuesi i shkollës. Por drejtori aktual rrëfen se gjithçka është gënjeshtër, pasi disponon prova për këtë shkelje.

“Drejtori thotë që kam grisur fletët e regjistrit, ke shtuar emra e ku di unë, por ka ekspertë për këtë punë.  Drejtori i Zyrës Arsimore di Zyrën Arsimore, unë jam drejtori i shkollës dhe di gjendjen e shkollës!”

Pra, 85 nxënës kanë emigruar më datë 1 Mars 2014, pikërisht ditën që është emëruar drejtori i ri i shkollës. /tvklan.al