Punimet për të përfunduar 16 kilometrat e mbetura të rrugës Kardhiq-Delvinë do të nisin në fund të sezonit të verës, ndërsa aksi i ri do të jetë gati brenda 2 viteve të ardhshme. Gjatë një takimi me banorët e Delvinës, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri tha se investimi do të kushtojë 90 milionë euro e se do të financohet me paratë e buxhetit të shtetit.

“Kjo rrugë për dy-tre muaj do të fillojë punimet konkrete dhe për dy vjet Delvina e Saranda do të lidhen me Kardhiqin. Do të dalin shumë më shkurt në rrugën kryesore që të çon drejt Levanit e Tiranës. Pra, Kardhiq-Delvinë një investim i qeverisë shqiptare më i madhi që ka parë ndonjëherë kjo zone”.

Damian Gjiknuri tha se po përgatitet studimi për zgjerimin e kalatës në Portin e Sarandës, me qëllim që kroçerat të mos ankorohen më në det të hapur, ndërsa kreu i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se nga 1 Qershori nuk do të lejohet më derdhja në det e ujërave të zeza.

“E gjithë struktura shtetërore është vënë në lëvizje që kjo çështje të zgjidhet. Ne do të donim që zhurmat sëbashku me bashkinë t’i kishim të kontrolluara, muzika të ishte brenda një orari të caktuar dhe bashkia ka përcaktuar zonat ku lejohet dhe ku jo. Do donim të kishim siguri në plazhe, ndarje të qartë se ku lejohet lundrimi dhe ku jo për mjetet e detit”.

Këtë vit do të nisë investimi me vlerë 2 milionë Euro për ujësjellësin e Delvinës, i cili do të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë në këtë zonë.

Tv Klan