Kryetari i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Zoran Zaev, filloi bisedimet për qeverinë e re me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti. Por dalja e vendit nga kriza do të jetë ende e vështirë.

Pas mandatimit nga presidenti për krijimin e qeverisë së re të Maqedonisë, kreu i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev ka nisur bisedimet e koalicionit me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti. Ky i fundit para takimit ka thënë se ka pasur një varg takimesh me Zaevin. “Drejtimin e dikastereve nuk e kemi definuar, do të flasim më detajisht për dikastere të caktuara. Ka një shtim këtu, pra kemi kryetarin e Parlamentit, duhet biseduar edhe me partitë e tjera për të gjetur gjuhë të përbashkët në drejtimin evendit dhe ky nuk është ndonjë problem”, ka thënë Ahmeti.

BESA: Jo një qeveri me politikanë të inkriminuar

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka thënë se në asnjë moment nuk do të marrin pjesë bashkë në Qeveri me persona të inkriminuar dhe të cilët janë nën hetim nga Prokuroria Speciale Publike (PSP). “Nuk do të marrim pjesë në Qeveri me njerëz, të cilët janë nën hetim nga PSP me vepra të inkriminuara. Këtë e kemi thënë edhe më herët dhe do ta themi edhe tash. PSP duhet t’i procedurojë të gjitha lëndët e atyre që dyshohen se kanë bërë vepra kriminale. Derisa PSP ngre akuza ndaj personave,  ne nuk do bashkëqeverisim me të njëjtët persona”, është shprehur Kasami.

Sekretari i LR PDSH, Arben Taravari ka thënë se Qeveria reformatore po trajtohet si një Qeveri shprese e cila do ta ndërrojë diskursin politik në interes të qytetarëve. Qeveria e re urgjentisht do të duhet të krijojë mundësi për një sistem të pavarur gjyqësor me këtë rast, krerët e VMRO-së te implikuar në krim te organizuar dhe korrupsion masiv do të duhet sa më shpejt të dalin para drejtësisë dhe të burgosen, thotë Taravari.

Analistët: Qeverinë e re e presin sfida të mëdha

Për profesorin universitar Alajdin Demiri formimi i kësaj qeverie do të jetë proces i vështirë, për arsye se sjellja e partive politike është e tillë. Disa e japin garancitë, duan të jenë pjesëmarrës e disa jo. “Asnjë premtim i Zaevit apo i partive shqiptare, nuk do të mund të realizohet në pretekst të garancive që do të dorëzohen, siç është përdorimi i gjuhës, decentralizimi dhe kërkesave tjera. Ky është problem madhor, me të cilën do të ballafaqohet ky koalicion. Reformat do të pengohen nga opozita dhe sistemet ligjore, përfshirë këtu edhe Kushtetutën, siç jane ndryshimet ne Prokurori, Gjyqësorin”, vlerëson Alajdin Demiri.

Analisti politik Risto Nikovski thotë se do të jetë shumë e vështirë për vendin që ta tejkaloj krizën për në periudhë të shkurtër. “Mendoj se tani kemi fillimin e një situate të re dhe shpresoj se do të na nxjerrë nga kriza. Partitë që e formojnë shumicën kanë shumë dallime të mëdha. Mendoj se shumë vështirë do të arrihen reformat e përmendura. Duhet të jemi të vetëdijshëm se procesi i ndryshimeve është shumë i vështirë. Nuk duhet të jemi optimist. Na pret një periudhë e vështirë”, ka thënë Nikovski.

Analisti Xhenis Sulimani thotë se sfida kryesore e LSDM-së është që të mos  përsërisë diçka nga regjimi i mëparshëm. ”Nuk besoj se Zaev mund të ketë vështirësi në formimin e qeverisë së re, sepse dy vitet e fundit LSDM ka vepruar si qeveri nën hije. Sfida e tij kryesore është nëse do të arrijë të qëndrojë në maksimën e tij “se ajo që ishte e keqe nga regjimi i mëparshëm, kurrë nuk do të përsëritet”. Përvoja nga regjimi i kaluar duhet të merret si leksion për ta aprovuar nga sot e tutje. Nëse Zaev nuk do që ekipi i tij ta përsëris keqqeverisjen e mëparshme duhet rreth vetes të mbledhë kuadro cilësorë”, thotë Sulimani. Në ditët në vijim priten takime mes LSDM-së dhe partive tjera që përbëjnë shumicën parlamentare për ndarjen e dikastereve me qëllim që qeveria e re të formohet në afat kushtetues prej 20 ditëve./Deutsche Welle