Është nënshkruar në Kryeministri Marrëveshja për Kadastrat Digjitale, një projekt i asistuar nga shteti japonez që synon t’i japë fund hartave në letra dhe problemeve që sjellin ato.

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mbi projektin e informacionit gjeohapsinor për zhvillimin e qëndrueshëm zonal në rajonin e Tiranës dhe Durrësit, midis republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, u bë të mërkurën në sallën e Hartave në Kryeministri.

Duke folur në takim, Rama tha se Kadastra Digjitale është një projekt fantastik që i jep fund një çerekshekulli male hartash me gropa e me vrima ku janë tretur prona dhe janë mbjellë konflikte pafund nga ngatërresat, mbivendosjet e falsifikimet në dëm të shtetit e të pronarëve të ligjshëm.

“Pas përfundimit të fotografimit dhe skanimit gjeohapësinor, të gjithë ndërtesat në territorin e Shqipërisë do të dokumentohen me koordinata të sakta në këtë kadastër, e cila do të shërbejë për pronën, infrastrukturën mbitokësore e nëntokësore, taksat kombëtare e detyrimet bashkiake, zonat e mbrojtura, monumentet e kulturës e me radhë.”

 “Të mendosh dhe të thuash se ke shtet kur nuk ke inventar është të thuash se ke një shtëpi dhe të mos kesh asnjë informacion si gjendet, ku gjendet, çfarë ka e çfarë s’ka,” tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se ka familje që e kanë humbur pronën e tyre vetëm e vetëm se fleta e hartës së tyre ishte me vrimë dhe gjykata e kishte të pamundur të vendoste.

Kryeministri Rama vlerësoi lart ndihmën japoneze në plotësimin e këtij projekti dhe të tjerëve.

“Asistenca zyrtare për zhvillim që Shqipëria ka përfituar prej qeverisë japoneze i kalon 200 milionë eurot, dhe faktikisht e rëndit Japoninë ndër vendet kryesore që kanë ndihmuar drejtpërdrejt vendin tonë, posaçërisht pas rënies së regjimit komunist,” tha Rama.

Rama tha se çelja e Ambasadës së Japonisë në Tiranë me 1 Janar të këtij viti është shprehja se Japonia dhe qeveria e Japonisë rezervojnë respekt dhe një qasje bujare ndaj popullit shqiptar. /tvklan.al