Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë dy persona të akuzuar për nëntë vjedhje në tre muajt e fundit.

Në kuadër të Operacionit “Star 2” u arrestuan Ylli Shkalla, 19-vjeç dhe Ylli Driza, 23-vjeç, të dy banues në Tiranë dhe të dënuar më parë për vjedhje.

Ata u kapën në flagrancë të hënën duke tentuar të vjedhin banesën e shtetasit N. M., në rrugën “Egnatia”.

Nga hetimet e kryera është arritur ti dokumentohet me prova ligjore, se këta dy “yjet” janë të përfshirë edhe në tetë vjedhje të tjera në Tiranë, mes datave 6 dhjetor dhe 26 shkurt.

Më konkretisht:

1- Më datë 06.12.2016, në rrugën “Nikoll Ivanaj”, kanë vjedhur banesën e shtetases M. A., ku kanë marrë një televizor të markës “Samsung”, një kamer dhe një DVD-player.

2- Më datë 09.12.2016, në rrugën “Migjeni”, kanë vjedhur banesën e shtetasit S. D., ku kanë marrë një televizor të markës “Sony”, dhe dy shishe pije alkolike.

3- Më datë 12.12.2016, në rrugën “Bektash Kozeli”, kanë vjedhur banesën e shtetasit E. SH., ku kanë marrë 1500 euro, 6000 lekë, e një laptop të markës “Samsung”.

4- Më datë 24.12.2016, në rrugën “Jordan Misja”, kanë vjedhur banesën e shtetasit I. H., ku kanë marrë disa bizhuteri të ndryshme.

5- Më datë 31.01.2017, në rrugën “Halil Malaj”, kanë tentuar të vjedhin, banesën e shtetasit R. B., 57 vjeç.

6- Më datë 04.02.2017, në rrugën “Nikoll Ivanaj”, kanë vjedhur me thyerje banesën në përdorim të shtetasit E. K., ku kanë marrë një televizor të markës “Samsung”, një aparat fotografik të markës “Samsung” dhe një varse.

7- Më datë 06.02.2017, në rrugën “Jordan Misja”, kanë vjedhur banesën e shtetasit A. SH., ku kanë marrë 20.000 lekë.

8- Më datë 26.02.2017, në rrugën “Nikolla Jorga”, kanë vjedhur banesën e shtetasit E. G., ku kanë marrë një televizor të markës “Samsung” dhe një lap-top.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve.

Materialet i’u kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale të “Vjedhja në bashkëpunim”, “Vjedhje e mbetur në tentative në bashkëpunim”. /tvklan.al