kukanNdërmjetësimi i Parlamentit Europian mes mazhorances dhe opozitës do të vijojë përmes eurodeputetit Eduard Kukan.

Ai do të çojë përpara negociatat e nisura nga kolegu i tij, Knuk Fleckenstein me Kryeministrin Rama, kryetarin e parlamentit Meta dhe kreun e opozitës, Basha.

Që në mëngjesin e së hënës Kukan do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike, më pas me Kryeministrin dhe në fund me kryetarin e Kuvendit.

Ndërmjetësimi i Parlamentit Europian duket se po i çon palët drejt një marrëveshje, që do t’i jepte fund edhe bojkotit të opozitës.

Eurodeputeti Fleckenstein u shpreh i kënaqur nga rezultati i bisedimeve.

Kushti kryesor i opozitës për kthimin në Kuvend mbetet dekriminalizimi i Kuvendit dhe institucioneve të tjera publike në vend.

Për këtë pritet që palët të bien dakord për hartimin e një projektligji.

Mazhoranca thotë se i ka plotësuar kërkesat e tjera, si ngritja e dy komisioneve hetimore parlamentare dhe ndryshimin në rregulloren e parlamentit.

Nëse marrëveshja mes palëve do të arrihet, opozita do të jetë në parlament të enjten e 24 dhjetorit, në seancën e fundit parlamentare të këtij viti.

Fleckenstein dhe Kukan u mandatuan nga Parlamenti Europian për të negociuar me palët, për t’i dhënë fund ngërçit të krijuar prej korrikut, kur opozita i ndërpreu marrëdhëniet me Kuvendin.

Tv Klan