Nga Blendi Fevziu/ Telenovela nuk mbaroi. Edhe pse ajo shërbeu për t’i dhënë fund një dileme që duket se qarkullon prej kohësh, rreshtimit të forcave politike në koalicionet e ardhshme zgjedhore.

Ashtu siç parashikohej edhe në editorialin e djeshëm të opinion.al PS dhe LSI e kanë mbyllur me një “kompromis” javën e tensionuar midis tyre. Ndër tre variantet, përzënien e LSI nga koalicioni, Ikjen me dëshirë të Metës nga marrëveshja me Ramën apo gjetjes së një kompromisi të përkohshëm, të dyja palët kanë zgjedhur këtë të fundit. Pra rrugën e tretë.

Dy partitë e së majtës kanë arritur sërish një marrëveshje. Një marrëveshje që i fashit përkohësisht tensionet, por nuk jep zgjidhje problemit themelor mes PS dhe LSI. Atij nëse këto dy forca mund të qeverisin bashkë apo janë të destinuara ta kthejnë koalicionin qeveritar në një sherrnajë të përditshme.

Konflikti mes PS dhe LSI ishte tensionuar mjaft javën e fundit duke pasur dy protagonistë, Ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani dhe atë të Mjedisit Lefter Koka. Të dy ministrat sulmuan ashpër Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për lidhje të policisë me bandat, kultivimin e hashashit dhe mos arrestimin me qëllim të Kelmend Balilit. Në fillim të javës vetë Meta e kishte tensionuar situatën duke i kërkuar Presidentit një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen Balili.

Dukej sikur koalicioni po futej në një krizë të re, të përsëritur, por gjithçka ka mbetur aty. Nuk dihet se çfarë ka ndodhur në prapaskenë, por Rama e ka rivendosur autoritetin. Ai ka shkarkuar Manjanin dhe shkarkimi më shumë vlen simbolikisht. Ai ka treguar forcë dhe meta është tërhequr përpara forcës së Ramës. Por pa asnjë dyshim që kjo marrëveshje e përkohshme, nuk zgjidh thelbin e konfliktit mes tyre, filozofitë e ndryshme që kanë në mënyrën se si qeveriset vendi.

Ndërkohë, vendimi i sotëm i jep fund dilemës se me kë do dalë LSI në zgjedhje. Një javë më parë Meta deklaroi se nuk do jetë në koalicion parazgjedhor me PD, ndërsa sot, me shkarkimin e Manjanit, indirekt rikonfirmoi renditjen në një koalicion me PS dhe PDIU. Të tjerat nuk kanë asnjë rëndësi për momentin…