Nëse treni i dekoruar me parrulla antishqiptare dhe simbole fetare e nacionaliste serbe, nuk do të ishte nisur dje, ndalimi i Haradinajt në Francë mund të konsiderohej edhe një rastësi. Të dyja bashkë, dalin nga kuadri i kësaj dhe marrin një tjetër ngjyrim. Atë të një tentacioni serb për të ndryshuar raportet dhe mbështetjen në atë zonë.

 

Që treni i nisur nga Beogradi ishte as më pak e as më shumë një provokim për këtë biem dakort të gjithë. Madje një provokim simbolik. Ishte një dhuratë e Rusisë, që u brendua nga fillimi në fund me parrulla nacionaliste dhe u nis për të testuar reagimin e Kosovës, por më shumë atë të faktorit ndërkombëtar.

Historia e shekullit të XX është e mbushur me precedentë të ngjashëm. Vietnami i Veriut që i ndruhej ashpërsisë së Presidentit Nikson i dha urdhër trupave të veta të kalojnë linjën e kufirit dhe të sulmojnë Jugun (duke shkelur marrëveshjen e Parisit me SHBA) pikërisht atë moment që Nikson po largohej nga Shtëpia e Bardhe për t’i lënë vendin Xherald Fordit.

Ata provuan duke besuar se Ford do sillej ndryshe nga Nikson dhe kishin të drejtë. Vetnami i Jugut ca muaj më pas nuk ekzistonte më. Edhe pse ai ishte garantuar me një marrëveshje ndërkombëtare të njohur botërisht.

Në Janar 1980, ndërsa Ronald Regan po betohej si President, Irani nxorri me ngut pengjet amerikane, ish diplomatë të ambasadës, që i mbante prej 444 ditësh jashtë territorit të saj. Irani e kishte kuptuar që Karter nuk do reagonte, por kur Regan që kishte kërcënuar se lirimi i tyre do ishte akti i parë i tij dhe Irani do përgjigjej u bë President, i nxorrën 90 amerikanët me një avion Algjerian vetëm që të dilnin nga territori i tyre. Regan ishte duke hyrë në Shtëpinë e Bardhë kur një gazetar e njoftoi se pengjet qenë liruar. Në këtë rast, provokimi që dha rezultat me Karter, ndryshoi krejt me Reganin.

Presidenti Putin, e kuptoi që administrata e Obamës ishte e pavendosur për të mbrojtur pozicionin amerikan në Siri dhe Ukrainë, pas disa provokimeve e mori krejt Krimenë. Ajo është sot pjesë e Rusisë duke shkelur gjithë të drejtat ndërkombëtare.

Serbia (nuk e di nëse me apo pa shtytjen e Rusisë) ka vepruar identik në këtë mënyrë. Konteksti ndërkombëtar e favorizonte provokimin. Zgjedhja e Tramp ka ngritur një pikëpyetje se si do sillen SHBA me Rusinë dhe këtë pjesë të Ballkanit; BE është krejt e paralizuar po ashtu nga mos njohja e reagimeve të mëtejshme amerikane. Serbia e ka provuar me rastin Haradinaj që Europa është më pak e vendosur për t’i qëndruar gjerave që ka ndërtuar vetë.

Ajo provoi dje, duke përdorur edhe simbolikën e Rusisë, për të provuar më shumë se sa Kosovën, faktorin ndërkombëtar. Dhe disi ja arriti. BE ishte krejt e paaftë të reagonte dhe deklarata e zëdhënëses së Komisioneres së jashtme ishte e habitshme. Për fat reagoi Kosova.

Nëse Kosova nuk do reagonte, nuk është çudi që pas murit dhe trenit, Serbia të hidhte hapin e tretë. Edhe pse duhet të ketë sërish kujdes se kjo mund të ndodhë në këto ditë që vijnë. Serbia do provokojë sërish, për të gjetur rastin të ndërhyjë në veri, duke e vënë BE, SHBA dhe gjithë faktorin ndërkombëtar përpara faktit të kryer. Negociatat më pas nisin nga ky fakt i kryer dhe duke besuar tek një situatë e re gjeopolitike, ajo beson se do të fitojë një avantazh që e kishte humbur prej thuajse 2 dekadash në këtë zonë.

Kjo kohë e ndërmjetme, kur administrata Obama nuk vepron dot; kur administrata Tramp s’ka hyrë ende në zyrë dhe nuk ka përkufizuar qartë qëndrimin e saj; kur BE pret më shumë reagimin e Uashingtonit për të rindërtuar gjithë politikën e jashtme të saj, është padyshim koha më e mirë për të provokuar, ose për të përfituar me forcë, atë që në rrethana të tjera nuk e merr dot.

Ndaj Kosova reagoi drejtë dhe ky ishte reagimi i vetëm i saj. Rëndësia ishte tek gjesti, sepse fotot me “lojra luftash” kanë vlerë vetëm për naivët dhe ata që s’e kuptojnë që kjo është çështje guximi dhe jo fuqie! Kosova veproi drejtë dhe kjo ishte prova e parë e vërtetë e saj si shtet!