Child-silence11% e fëmijëve deri në moshën 14 vjec, në Shqipëri, ngacmohen seksualisht nga persona të rritur, ndërsa 5% e tyre janë viktima të dhunës seksuale. Këto shifra tronditëse janë pjesë një studimi të kryer nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri.

Gjatë një tryeze ku u prezantuan gjetjet e fundit rreth dhunës seksuale ndaj miturve, drejtues të kësaj qendre ngritën shqetësimin se vendi ynë është ende i papërgatitur për të mbrojtur fëmijët nga kjo formë dhune.

Të dhënat tregojnë se 1 në 10 fëmijë është i kërcënuar nga krimet seksuale. Për vitin 2014, Policia e Shtetit ka regjistruar 97 ankesa për krime seksuale, ku 46 e të dëmtuarve janë fëmijë të moshës nën 14 vjeç. Sipas këtij raporti, rastet e denoncuar kanë ardhur në rritje.

Problematik është fakti i mos dënimit të personave që kryejnë vepra të turpshme ndaj të miturëve. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri thotë se në 2013, sistemi i drejtësisë nuk dënoi asnjë person për krime seksuale ndaj të miturve, edhe pse sipas të dhënave zyrtare, në të njëtën periudhë janë zbuluar 89 krime seksuale ndaj fëmijëve.

Tv Klan