Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafa i’u përgjigj pretendimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llallës, se ka një ngërç institucional në punën e Prokurorisë, pas ndryshimeve kushtetuese. Xhafa tha se prokurorët duhet të vazhdojnë punën për dosjet që hetojnë zyrtarët e lartë, pasi kjo e drejtë nuk i’u është shfuqizuar.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë i përgjigjet Kryeprokurorit Adriatik Llalla, për shqetësimet e këtij të fundit, i cili pretendoi për ngërç institucional që pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të reja Kushtetuese.

ABC News ka siguruar një kopje të letrës 6 faqesh, të firmosur nga kryetari i këtij komisioni Fatmri Xhafa e cila i është drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, letër për të cilën është vënë në dijeni edhe kreu i Kuvendit Ilir Meta.

Sipas kësaj letre, Xhafa është treguar i kujdesshëm duke renditur në disa pika argumentet e tij, ku në të gjitha rastet i kërkon Kryeprokurorit Llalla të lexojë dhe t’i referohet Kushtetutës dhe neneve të saj, pasi në asnjë rast nuk ka nevojë për dispozita tranzitore për funksionimin e organit të akuzës. Xhafa argumenton se ndryshimet e reja në asnjë rast nuk kanë parashikuar ndërprerjen e funksionit të një institucioni, por përkundrazi Kushtetuta i jep të drejtën e vazhdimësisë së punës.

“Aktualisht, pas ndryshimeve kushtetuese, janë ende në fuqi ligji për Gjykatën Kushtetuese, për Gjykatën e Lartë, për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për Prokurorinë etj. Mbi këto rregullime ligjore ekzistuese, organet e përmendura po vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e tyre. Të gjithë këto ligje do të vijojnë të zbatohen prej këtyre organeve, derisa ato të shfuqizohen. Edhe ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në RSH” është ende në fuqi. Mbi këtë ligj janë duke ushtruar kompetencat kushtetuese e ligjore nga Prokurori i Përgjithshëm e deri te prokurori më i ulët.”

Sa i përket pretendimeve të Kryeprokurorit Llalla për mungesën e bazës ligjore mbi të cilat prokuroria duhet të ushtrojë funksionet e saj pas ndryshimeve kushtetuese, Xhafa i përgjigjet ndër të tjera edhe me pyetje, mbi cilin ligj po e kryen aktualisht veprimtarinë e tij ky institucion kushtetues? Në letër thuhet se përderisa kushtetutëbërsi nuk e ka parashikuar periudhën trazitore, Prokurori i Përgjithshëm në bazë të Kushtetueses vazhdon punën e tij deri sa ligjet të shfuqizohen.

Asnjë organ kushtetues ose edhe funksionar i këtyre organeve nuk përfundon së ushtruari kompetencat ose mandatin e tij, me të cilin është ngarkuar, në datën e hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese. Nëse për ndonjërin prej tyre organeve, kushtetutbërësi do kërkonte të ndërpriste vazhdimin e ushtrimit të funksionit, atëherë do e parashikonte shprehimisht. Për të gjithë organet kushtetuese, në kompetencat e të cilëve janë bërë ndryshime të pjesshme ose të plota, Kushtetuta nuk pengon vazhdimësinë.”

Këtë argument, Xhafa e cilëson edhe te rasti, kur Prokurori i Përgjithshëm pretendon se është në ngërç institucional për dosjet e korruopsionit ndaj zyrtarëve të lartë deri në krijimin e SPAK-ut apo transferimin e dosjeve hetimore nga prokuroria për krime të rënda në instutcionin e posaçëm hetimor.

“Në rast se Kushtetuta do synonte që këtë kompetencë, për periudhën tranzitore, t’ia kalonte një organi të ndryshëm nga Prokuroria, do e kishte parashikuar shprehimisht. Kushtetutbërësi nuk ka parashikuar ndonjë organ tjetër, sepse nuk ka qenë e nevojshme ta bëjë një gjë të tillë. Kuptimi që ka neni 148 i Kushtetutës, i cili përcakton Prokurorinë dhe asnjë organ tjetër “që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq”, heq shqetësimin e Prokurorit të Përgjithshëm për kryrjen e këtyre funksioneve nga ndonjë organ tjetër.”

Kreu i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë e mbyll letrën me një mesazh, duke kërkuar nga prokruorët të kryejnë detyrën me profesionalizëm dhe të largohen nga veprimet abuzive dhe korruptive gjatë kësaj periudhe tranzitore./tvklan.al