3 muaj pas vrasjes së Ergys Gjioveshjat në Vlorë dhe plagosjes së tre personave të tjerë në një lokal është arrestuar një nga autoret e dyshuar të kësaj ngjarje. 23 – vjeçari Eljaso Çela është prangosur në pikën kufitare të Kapshticës në Korçë, në tentativë për të hyrë në Shqipëri.

Mbi të riun rëndon akuza e vrasjes në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje. Sipas burimeve policore, Çela ka qënë në një tavolinë me viktimën, por nuk sqarohet nëse ai është personi që ka qëlluar mbi Gjioveshajn.

Për këtë ngjarje, dy ditë pas krimit, policia arrestoi në Vlorë, Gani Tozajn si një nga autorët e dyshuar dhe shpalli në kërkim Arianit Kondin. 19 – vjeçari Tozaj në dëshminë e tij në polici tha se nuk e njihte Gjioveshjn dhe se shkak i sherrit ishte një konflikt banal. Sipas tij, viktima ishte afruar pranë tavolinës ku ai ndodhej me mikun e tij Arianit Kondi duke i fyer dhe goditur.

Mes tyre ka pasur një përplasje fizike dhe më pas ishte Arianit Kondi që nxorri një pistoletë duke qëlluar në drejtim të 33 – vjeçarit.

Këtë variant e mbështet edhe prokuroria. Televizioni Klan mësoi se edhe njëri nga personat që shoqëronte viktimën nxorri një pistoletë dhe qëlloi në drejtim të Tozajt dhe Kondit, por këta u larguan duke përfituar nga errësira.

Në vendin e ngjarjes u gjetën 22 gëzhoja të 3 armëve të ndryshe. Viktima kishte 6 plumba në trup.

 Tv Klan