Ka afërsisht 4 muaj që Drejtoria e Apelimit Tatimor nuk funksionon, çka e pengon biznesin t’i drejtohet Gjykatës për mosmarrëveshjet administrative.

Struktura e re e kësaj Drejtorie ka kaluar si njësi nga Tatimet në varësi të Ministrisë së Financave, por vonesat administrative kanë bërë që prej Dhjetorit e deri më sot, të vonohet emërimi i kryetarit të Komisionit të Apelimit dhe anëtarëve të tjerë.

Shqetësimin e pezullimit të të gjitha ankesave që ka biznesi, e ka shprehur edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, me anë të një shkrese të nisur në Drejtorinë e Tatimeve.

Kjo shoqatë sqaron se një pjese të kërkesave të biznesit u ka mbaruar afati për kthimin e përgjigjes.

Të kontaktuar nga Televizioni Klan, zyrtarë të Ministrisë së Financave thonë se dosjet e dorëzuara të biznesit do të shqyrtohen të gjitha, pavarësisht afatit, sipas vjetërsisë së shkresave, ndërsa çdo biznes që kërkon të ankimojë një vendim të inspektroit mund ta dorëzojë në protokollin e Ministrisë së Financave.

Çdo sipërmarrës që nuk bie dakord me një vendim të tatimorëve duhet që fillimisht të bëjë ankim administrativ në Drejtorinë e Apelit e më pas vendimin e kësaj ta drejtorie ta çojë në gjykatë.

Tv Klan