Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të fillojë një aksion të gjerë për heqjen e të gjitha tabelave, godinave dhe aktiviteteve tregtare që ndodhën në akset kombëtare, si dhe për mbylljen e hyrje – daljeve që cënojnë sigurinë rrugore.

Në fazën e parë të aksionit Inspektorati Kombëtar i Territorit do të bëjë çmontimin e strukturave pa leje, që nuk kanë probleme pronësie.

Paralajmërimin e ka bërë vetë ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri, i cili u la kohë qytetarëve të bëjnë zhvendosjen brenda 15 ditësh, përndryshe heqja e tyre do të bëhet nga inspektorët e shtetit.

Keni vetëm 15 ditë kohë që të bëni në mënyrë vullnetare çmontimin e çdo aktiviteti civil/ekonomik pa leje, heqjen e çdo tabele që nuk ka lidhje me sinjalistikën rrugore por e pengon atë. Në përfundim të këtij afati, strukturat përkatëse do të ndërhyjnë në të gjithë akset kombëtare. Nuk do të ketë asnjë tolerancë.”

Në një fazë të mëvonshme do të ndërhyhet për të hequr strukturat që kanë pronarë duke bërë shpronësimin e tokës apo godinës e më pas sistemi dhe gjelbërimi i rrugëve. Pjesë e këtij aksioni është edhe mbyllja e te gjitha hyrje-daljeve në autostrada të cilat kanë qenë dhe janë burim aksidentesh.

Në përfundim të këtij operacioni do mund të krijohet dhe sistemi mbrojtës i hapësirave dhe nyjeve, sistemimi i hyrje-daljeve, në të gjitha akset kombëtare për të parandaluar përsëritjen e ndërhyrjeve të paligjshme.

Ministri Gjiknuri sqaroi se ky operacion synon dhe ka për objektiv rritjen e sigurisë në rrugë, duke garantuar zbatimin rigoroz të Kodit Rrugor.

Tv Klan