Kanë filluar zyrtarisht punimet për të ndërtuar rrugën e Zhabjakut në Kryevidh të Rrogozhinës. Projekti i Fondit Shqiptar për Zhvillim u inspektua nga kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Arben Ahmetaj, i cili tha se kjo rrugë e cila do t’i shërbejë 1300 banorëve të zonës përfundon Shatorin e vitit të ardhshëm. Ahmetaj u kujtoi banorëve se në 30 vite askush nuk i është përgjigjur kërkesës së tyre për të bërë sadopak në infrastukturën e tyre.

“Është kënaqësi për mua që më në fund po shoh një kërkesë gati 30 vjeçare të banorëve të njësisë administrative Kryevidh. Konkretisht është Rruga e Zhabiakut prej gati 7 kilometrash, e cila ka qenë një gangrenë për komunitetin. Më në fund është një ëndërr e realizuar, një investim i drejtpërdrejtë i qeverisë shqiptare, të Fondit të Zhvillimit. Investim gati 2.2 milionë dollarë, pra rreth 220 milionë lekë. Është një nga investimet që së fundmi qeveria shqiptare ka bërë në Bashkinë Rrogozhinë.

Qeveria shqiptare ka filluar investimin edhe në disa projekte të tjera në Bashkinë Rrogozhinë, të cilat kapin vlerën e 9.3 milion dollarëve.

“Janë Ujësjellësi i qytetit të Rrogozhinës, është pedonalja e qytetit, qendra e qytetit, hyrjet e qytetit. Është kjo rrugë që banorët i referohen Rruga e Zhabiakut, është edhe njësia administrative Lekaj, zona e Gërmenjit, ku ka një investim po kaq të madh në funksion të zhvillimit ekonomik.”

Ahmetaj tha se ishte i sigurit që në katër vitet e ardhshme vija bregdetare prej 16 kilometrash në Rrogozhinë do të kthehet në një destinacion për turistët shqiptarë e të huaj.

Tv Klan