Tri rrugë të reja kanë nisur të ndërtohen në zonën e Pezës. Punimet u inspektuan nga kryebashkiaku Veliaj, i cili premtoi se pjesa e mbetur e mandatit të tij do të kenë në fokus infrastrukturën rurale.

“Është shumë mirë që kemi sheshin ‘Skënderbej’, Pazarin e Ri, Parkun Olimpik, Bulevardin e Ri, por jo të gjithë njerëzit jetojnë në shesh apo në pazar. Njerëzit rrinë në shtëpi, në lagje, në fshat, ndaj kemi bërë një bashkëpunim fantastik me Aldrinin: Unë kam marrë përsipër gjithë fshatrat e ish-komunës në krahun majtë, ai ka marrë përsipër të gjithë ato në krahun e djathtë, që të sigurohemi që, ashtu si Edi Rama nuk i ndan njerëzit në të majtë e në të djathtë, por punon me fokus për t’u shërbyer të gjithëve, ashtu edhe unë e Aldrini jemi bërë partnerë, që të sigurohemi që, si në të majtë e në të djathtë të rrugës, apo si në krah të majtë e të djathtë të politikës, qytetarëve t’u shërbejmë të gjithëve njësoj”, tha Veliaj.

 Sipas materialit të dërguar nga zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës vetëm për komunën Pezë janë në plan 6 projekte, të cilat do të përfundojnë shumë shpejt.

 /Tv Klan