Banka e Shqipërisë ka vendosur që të rikonstruktojë ish – godinën e Hotel Dajtit, në mungesë të plotë transparence për publikun.

Kabineti i Guvernatorit është mjaftuar vetëm me një njoftim të publikuar në faqen e internetit, ku jep disa foto të imazhit se si do të jetë pamja e re e godinës se blere ne vitin 2010, pa dhënë asnjë informacion më shumë.

Në njoftimin e nxjerrë nuk jepet asnjë datë se kur do të nisin punimet, nuk jepet vlera që Banka Qendrore do të shpenzojë për rindërtimin e saj dhe as emri i kompanisë dhe mënyra e përzgjedhjes së firmës fituese.

Por më skandaloz se kaq është fakti që Banka e Shqipërisë, një institucion i pavarur dhe që jep llogari para Kuvendit të Shqipërisë, ka gënjyer edhe parlamentin.

Në raportin e dorëzuar në kuvend thuhet se rikonstruktimi i Hotel Dajtit pritet të fillojë në shkurt të vitit 2017, por jemi ende në qershor dhe nuk jepet asnjë informacion se çfarë do të bëhet me ndërtesën e cila i kushtoi buxhetit të bankës 30 milion euro.

Në vendimin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës në 1 prill të vitit 2015-të, strukturë e cila drejton Bankën e Shqipërisë, bordi vetëpërjashtohet nga procesi i tenderimit të rikonstruksionit të Hotel Dajtit dhe gjithçka i lihet në dorë Entit Prokurues dhe kryetarit të Departamentit të Administrimit.

Në pikën kur procedura e tenderit është e kufizuar ose me negocim të drejtpërdrejtë, çdo kusht i kontratës bëhet vetëm me një kompani, çka shkel  të gjitha rregullat e konkurrencës dhe rrit kostot për buxhetin e Bankës së Shqipërisë. Kompania e cila do të marrë rikonstruksionin e kësaj godine do ta zgjatë ndërtimin e saj për 3 vjet, duke bërë që banka të vazhdojë edhe në këto vite të paguajë qira të shtrenjta për dy ambientet e tjera që ka marrë në përdorim, Vilën Gold dhe ndërtesën te sheshi Avni Rustemi.

Televizioni Klan komunikoi me të gjtiha hallkat drejtuese në Bankën Qendore, por askush nuk pranoi të japë përgjigje për mënyrën se si është zhvilluar tenderi dhe sa është fondi për rindërtimin e godinës.

Po ashtu, TV Klan ka kërkuar edhe përpara 1 muaji informacione me vlerë për publikun dhe në shërbim të transparencës për këtë ndërtesë, por zyra e shtypit në Bankën Qendore tha se i vetmi informacion që mund të jepet është ai në faqen e internetit.

Tv Klan