Për Turqinë, e diela është një ditë historike, ku do të vendoset nëse do të bëhet një kthesë e fortë në sistemin politik të vendit.

Mbi 55 milionë turq votojnë sot për 18 ndryshime kushtetuese që i japin presidentit turk, Rexhep Taip Erdoan pushtet absolut, mbi palët.

Referendumi i kontestuar turk ka ardhur në stacionin e fundit të dielën kur qendrat e votimit u hapen në të gjithë vendin.

Mbi 55 milionë turq do të vendosin sot nëse sistemi aktual parlamentar duhet te zhvendoset nën një presidence ekzekutive, duke i dhënë pushtet të pakufizuar presidentit Erdoan.

Nëse mbi 50% e popullit turk do të votojë “po”, 18 ndryshime kushtetuese do të konvertojnë sistemin qeverisës të Turqisë, nga parlamentar në presidencial. Si rrjedhim zyra e kryeministrit do të shfuqizohet dhe kompetencat ekzekutive do të kalojnë në dorë të presidentit.

Ndryshimet e propozuara në parlament do t’i japin të drejtën presidentit të emërojë ministrat dhe zyrtarët e lartë të qeverisë si dhe gjysmën e anëtarëve të organit me të lartë të drejtësisë në Turqi. Presidenti do të ketë gjithashtu të drejtë të shpalle dekrete dhe të deklarojë gjendje emergjence.

Maksimumi i mandateve të presidentit do të jenë dy dhe zgjedhjet do të zhvillohen çdo 5 vite.

Në qoftë se pranohen nga populli, ndryshimet e reja kushtetuese, do të hyjnë në fuqi gjatë zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, të planifikuara në vitin 2019.

Europa e ka pare me skepticizëm “pushtetin” absolut që Erdogan kërkon të marrë, edhe pse gëzon mbështetjen e madhe të popullit turk.

Rikthimi i dënimit me vdekje do të jetë një nga ligjet që parlamenti do të diskutoje për ta rivënë në jetë, nëse vota në referendum shkon për “PO”. Kjo do të thotë që automatikisht, Turqia do të ndërpresë të gjitha bisedimet me Bashkimin Europian./ TV KLAN