Banorët e Njësisë Nr. 5 pranë lulishtes “1 Maji” do të kenë shumë shpejt një treg fruta-perimesh me kushte moderne, i cili garanton higjienë për produktet ushqimore. Bashkia e Tiranës nisi sot punën për rehabilitimin e tregut aktual, i cili për shkak të fluksit të madh të qytetarëve dhe të mungesës së investimeve ndër vite, ishte lënë në një gjendje të mjerueshme.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet që po kryhen për tregun e ri të fruta-perimeve që ndodhet në rrugën “Komuna e Parisit”, ku siguroi qytetarët për marrjen e masave për rritjen e sigurisë ushqimore. Duke u ndalur tek investimi i tregut të ri, Veliaj deklaroi se përmes këtij projekti, do të katërfishohet edhe numri i atyre që tregtojnë. 

“Jam shumë i kënaqur që ka filluar puna në një kantier tjetër në Njësinë 5. Praktikisht po katërfishojmë tregun, nga 12 vende, në mbi 50. Është një zonë, e cila ka familje të vjetra tiranase, ndërkohë është shtuar me popullsi nga pallatet e reja që janë ndërtuar në vitet ’90. Ky ka qenë një muaj ku jemi fokusuar jashtë mase tek siguria ushqimore. Hapëm thertoren e re në Vaqarr dhe po ofrojmë tregje të ngjashme me Pazarin e Ri, si ai që nisëm tek Njësia 2, në disa njësi të tjera dhe tani vazhdojmë tek Njësia 5”

, tha Veliaj, ndërsa u bëri thirrje tregtarëve ambulantë që të zhvendosen në ambientet e reja, të cilat ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme.

 

“U kërkoj të gjithë ambulantëve që mbasi të ndërtohet tregu, të përdorin tezgat, të shërbejnë një metër mbi kanalet e ujërave për të siguruar higjienë ushqimore. Për sa kohë që bashkia nuk ka pasur tregje, kemi mirëkuptuar ambulantët e shtrirë kudo, qoftë edhe në oborre shkollash. Për sa kohë që tani shkollat po bëhen të reja, po bëhen edhe tregjet e reja, atëherë them shkollat duhet t’i mbajmë për të mësuar, tregjet për të konsumuar mall”

, u shpreh ai.

Kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve që të konsumojnë produkte të cilat shiten brenda kushteve dhe të shmangin ato të cilat nuk respektojnë asnjë kriter, duke u kthyer në rrezik për jetën e komunitetit.

“Pasi të ketë mbaruar tregu, pasi të jetë ndriçuar, e të jetë pastruar, do të kërkojmë bashkëpunim nga qytetarët që të mos konsumojnë më mall në rrugë. Të gjitha studimet shkencore tregojnë se një qumësht i blerë në rrugë, një mish i blerë në rrugë është njësoj si të injektosh tek fëmijët të gjitha helmet, të gjitha toksinat dhe të gjitha sëmundjet e kafshës. Fakti që bota e civilizuar e pasterizon qumështin, e kontrollon mishin, i jep të gjithë certifikimet e nevojshme përpara se të konsumohet, do të thotë që edhe ne duhet të bëjmë siç bën e gjithë bota. Ndaj, jo më me legjenda urbane, duhet të kemi sot një sjellje qytetare ndaj konsumit të ushqimeve”

, deklaroi Veliaj.

Gjithashtu, ai u kërkoi qytetarëve që të mos bien pre e tregtarëve të cilët abuzojnë me çmimet në prag të afrimit të festave.

“U kërkoj të gjithë qytetarëve bashkëpunim për të kërkuar vulën e mishit, për të parë çmimet në treg dhe për të mos lënë asnjë abuzues, sidomos tani që afrohen festat e nëntorit dhe të Vitit të Ri, ku gjithmonë ka një tendencë për të abuzuar. Nëse të gjithë bashkëpunojmë, nuk ka njeri që mund të shesë mish, qumësht apo mallra të tjerë jashtë kushteve higjienike. Kjo kërkon bashkëpunim, nuk mund të kemi mijëra policë që t’i bien mbrapa çdo spekulanti, por ama mund të kemi mijëra qytetarë që janë të kujdesshëm dhe sillen me seriozitet kur vjen puna tek ushqimi që shërbejnë në tavolinë për fëmijët e tyre”,

theksoi kreu i Bashkisë.

Kryetari i Bashkisë paralajmëroi se në përfundim të ndërtimit të tregut të ri, do të nisë aksioni për rehabilitimin e të gjitha hyrje-daljeve në këtë zonë, për të rritur sigurinë e këmbësorëve dhe të drejtuesve të automjeteve.

“U kërkoj të gjithëve bashkëpunim dhe për 3 javë ne do të jemi sërish këtu për të parë që u mbajt fjala dhe që tregu është në kushte optimale dhe pastaj sigurisht që do të pasojë me një aksion në të gjithë zonën, ku do duhet të rehabilitojmë edhe akseset rrugore, që janë dhe pak si labirinte. Sigurisht, vërtet ndërtimet pa leje kanë nevojë për një amortizim social, të cilën e kemi bërë me banesa sociale, me bonos qiraje, ose me shpronësim, por shikoni Komunën e Parisit sot, që ka sjellë një ulje të stresit, jo më lirimi i trafikut pasi të ketë mbaruar i gjithë rrethrrotullimi. Kështu që, u kërkoj të gjithëve bashkëpunim që t’i shkojnë këtyre punëve deri në fund, por në pamundësi për t’i bërë të gjithë punët e mëdha përnjëherë, çdo ditë nga një punë”

, u shpreh Veliaj.

Ministri i Shtetit për Diasporën dhe njëherësh deputeti i PS, Pandeli Majko, vlerësoi ndërhyrjen e realizuar nga Bashkia, e cila do të garantojë standarde të tregtimit të produkteve ushqimore.

“Kjo është një zonë që ka pasur shqetësime qoftë nga tregtarët, qoftë nga komuniteti dhe mendoj që ndërhyrja e bashkisë është me shumë vend. Ajo që konsideroj me më shumë vend është edhe fakti që bashkia nuk do ta humbasë ndjenjën e dialogut që ka filluar dhe po vazhdon të ketë me të gjithë komunitetin e zonës, për të parë çfarë ndryshimesh mund të bëjmë në vazhdim. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse do ketë ndryshim qoftë me cilësinë me marrëdhënien me komunitetin, por edhe të një tregu  i cili nuk i shërben vetëm një zone të ngushtë, por edhe më gjerë”,

tha Majko.

Projekti për rehabilitimin e tregut në lulishten “1 Maji”, parashikon riparimin e të gjitha tezgave, zëvendësimin e mbulesës e cila do të garantojë mbrojtjen e tregtarëve dhe të qytetarëve gjatë reshjeve të shiut dhe gjithashtu do të ndihmojë në mbrojtjen nga temperaturat e larta gjatë stinës së verës. Tregu ka sipërfaqe 335 m2, ku në pjesën veriore të tij është parashikuar shtrimi me asfalt i hyrjes që do të shfrytëzohet si ambient parkimi në shërbim të tregut. Gjithashtu, është përcaktuar edhe zëvendësimi i sistemi elektrik aktual, i cili është tërësisht i amortizuar, me një rrjet të ri bashkëkohor.

/tvklan.al