Pas investimeve që sollën transformimin e gjithë zonës së Fushës së Aviacionit në Njësinë 7, Bashkia e Tiranës ka nisur edhe rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Dhora Leka”, për t’i dhënë gjithë këtij komuniteti të njëjtat standarde jetese, njësoj si në qendër të qytetit. Ditën e djeshme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Vasilika Hysi, inspektuan nisjen e punimeve për rikonstruksionin e shkollës. Ata vlerësuan se falë këtij investimi kompletohen ndërhyrjet në infrastrukturën arsimore të kësaj zone.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky është investimi i radhës në këtë zonë, e cila në një kohë fare të shkurtër ka përfituar disa projekte shumë të rëndësishme, si në infrastrukturën urbane, ashtu edhe në atë sociale dhe sportive.

“Jam shumë i lumtur që rikthehem për të disatën herë këtu. Shumë njerëz mund të thonë: Ç’domethënë të rikthehesh disa herë në të njëjtin vend? Herën e parë erdhëm për çerdhen, e cila ishte komplet e degraduar, pastaj me projektin “Adopto një çerdhe” e transformuam. Herën e dytë erdhëm për kopshtin. Herën e 3-të për lulishten. Herën e 4-rt për ujësjellësin. Herën e 5-të për rehabilitimin e zonës së “Doganës”. Herën e 6-të për këndin sportiv me Lorik Canën. Herën e 7-të për të gjitha instalimet që duhet të bëjmë te “Parku 1 KM”. Herën e 8-të për stacionin e autobusit, i cili e solli edhe këtë zonë si pjesë të qytetit dhe jo një periferi xhep edhe e veçuar. Herën e 9-të, pra sot për shkollën “Dhora Leka”. Do të vazhdojmë të rikthehemi për të investuar në infrastrukturën që i jep vlerë këtij komuniteti”

, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi faktin se falë këtij investimi kësaj shkolle do t’i shtohen ambientet sportive, ndërkohë do t’i jepet fund edhe problemit me të ftohtin në dimër, problem që do të marrë zgjidhje edhe në shumë shkolla të tjera të Tiranës që këtë vit.

“Është një shkollë që nuk ka pasur ngrohje, një fenomen i trashëguar në shumë prej shkollave, por fatmirësisht shumica prej tyre do ta kenë ngrohjen këtë dimër. Për herë të parë shkolla do të ketë një palestër, është një ambient fantastik. Gjithë zinxhiri i shërbimeve, çerdhe-kopësht-shkollë është shumë pranë njëri-tjetrit për komunitetin, ndaj besoj se strategjia jonë për të ndërtuar më shumë kënde lodrash, kënde sportive, palestra për të larguar të rinjtë nga bingot, bastet dhe kafenetë, është një strategji që po funksionon”,

theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se edhe vendimi për t’i shtuar kësaj shkolle një palestër moderne, tregon më së miri se Bashkia e Tiranës është e vendosur për të fituar betejën me kafenetë dhe llotot, duke i kthyer kryesisht të rinjtë te sporti dhe jeta e shëndetshme.

“Është hera e parë që në qytetin e Tiranës është ulur numri i kafeneve që regjistrohen të reja çdo vit, është rritur numri i terreneve sportive që hapen çdo vit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do ta fitojmë edhe betejën kundër obezitetit, kryesisht jo të çështjeve të shëndetit fizik sesa të mentalitetit”,

tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje të gjithë bizneseve që veprojnë në Tiranë që ashtu si iu përgjigjën thirrjes “Adapto një kopësht”, të kontribuojnë për t’i dhënë zgjidhje edhe problemit të trashëguar prej vitesh me shkollat. “Do të doja që të ftoja edhe komunitetin e biznesit, nëse duan që të kontribuojnë, siç kanë kontribuar për çerdhet dhe kopshtet, të kontribuojnë edhe për kaldajat. Kjo do të ishte fantastike sepse na ndihmon si bashki të bëjmë një punë e cila është trashëguar ndër vite”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë shtoi se me ndërhyrjet që po bëhen në qytet, qoftë me ndërtimin e shkollave të reja, ashtu edhe me rikonstruksionin e atyre ekzistuese, nuk ka më asnjë arsye që prindërit të dynden për të regjistruar fëmijët vetëm në një numër të kufizuar shkollash, që për hir të së kaluarës gëzojnë një reputacion të mirë. “

Shkollat me dy turne zhduken kur ka infrastrukturë, por kur ka edhe kulturë. Ndaj i lus të gjithë prindërit, mos i merrni më qafë fëmijët tuaj, duke i paketuar në shkolla ku tashmë është mbushur numri i nxënësve. Mësuesit më të mirë po shkojnë në shkollat e reja, ndaj është shumë e rëndësishme që prindërit ta kuptojnë këtë: Nuk është ndërtesa ajo që e bën një nxënës të mirë, është mësuesi. Dhe mësuesit e portalit që rankohen sot më të lartët, ata po shkojnë dhe po fillojnë punë në shkollat e reja. Ndaj nëse duan cilësi, të shkojnë aty ku ka vend dhe ku është afër komunitetit”,

tha Veliaj.

Deputetja e PS, Vasilika Hysi falenderoi Bashkinë e Tiranës për vëmendjen që i ka kushtuar kësaj zone, ku vetëm dy vite më parë mbizotëronte balta në dimër dhe pluhuri në verë.

“Disa vite më parë në këtë zonë nuk mund të vije si qytetare dhe banore e qytetit të Tiranës, për shkak të baltës, të mungesës së ndriçimit. Kjo shkollë ka vuajtur për shkak të investimeve, ne kemi pasur problem nga banorët që kërkonin që shkolla të trajtohej si gjithë shkollat e tjera të njësisë dhe të Tiranës. Me këtë investim që po bën Bashkia kemi përmbushur një nga premtimet kryesore që kishin banorët e zonës”,

tha Vasilika Hysi.

Shkolla 9-vjeçare “Dhora Leka”, ndodhet në Njësinë Administrative Nr. 7, në zonën e Fushës së Aviacionit dhe aty marrin mësim 600 nxënës me një turn. Në këtë shkollë do të ndërtohet palestra e re në anën jugore të oborrit, si dhe ambientet ndihmëse, dhomat e zhveshjes për djem e vajza dhe ambientet sanitare. Gjithashtu, godina do të ketë sistem qendror ngrohje, me pelet. Në këtë objekt do të kryhen edhe një sërë punimesh të tjera duke filluar drenazhimi, rikonstruksioni i plotë i tarracës, nyjet sanitare, heqja e gjithë shtresës së dyshemesë, kryerja e hidroizolimit të saj, zëvendësimi i dyerve të brendshme, kanalizimi i ujërave të zeza dhe të bardha, si dhe sistemimi dhe gjelbërimi i territorit të jashtëm./tvklan.al