nishani ok

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të rivlerësojnë prezencën në Ballkanin perëndimor, si një prej rajoneve të kërcënuara realisht nga terrorizmi. Ky ishte mesazhi që përcolli presidenti shqiptar Bujar Nishani në Samitin e Jashtëzakonshëm të Krerëve të Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit, që u mbajt në Kroaci në prani të zv/presidentit amerikan Joe Biden.

Bujar Nishani, President i Shqipërisë: Janë sfida që me adresim të përbashkët do të kapërcehen. Ripërsërita qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë, jo vetëm si anëtare e NATO-s me angazhime të rëndësishme në luftën kundër terrorizimit dhe grupeve ekstremiste, por nga ana tjetër edhe si një vend që ka marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian dhe pret hapjen e negociatave në një proces strategjik, që është alternative e vetme e Shqipërisë.

Prezenca e zv/presidentit amerikan Joe Biden në samitin e Kroacisë dëshmoi ripërsëritjen e interesave të Shteteve të Bashkuara në rajon. “Prania jonë, tha Biden, nuk është rikthim. Ne kurrë nuk kemi ikur prej këtej”. Biden përmendi Shqipërinë si lider të luftës kundër terrorizmit në rajon dhe shprehu mbështetjen për zgjerimin e NATO-s me vende të tjera të Ballkanit perëndimor. Ai u ndal edhe në nevojën për një strategji të re në menaxhimin e krizës së emigrantëve.

Joe Biden, zv/president i SHBA-ve: “Dua të jem absolutisht i qartë për të gjithë vendet në rajon, se dera në NATO është e hapur. Kroacia dhe Sllovenia janë prova se pas reformave dhe pajtimit, janë të dy vende anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Po kështu edhe Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE. Në këndvështrimin tim dhe në pikëpamjen e sotme, një Europë e plotë nuk do të ishte realisht e mundur pa pjesën Juglindore, apo Ballkanin, e integruar tërësisht brenda Europës.”

Më herët në Samit presidenti Nishani u shpreh në favor të konkretizimit të iniciativës së vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër terrorizmit, platformë e iniciuar gjatë Presidencës shqiptare të Procesit të Brdo-Brijunit.

Tv Klan