Ka nisur zyrtarisht procesi i votimit në të gjithë Shqipërinë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Sipas orarit zyrtar, qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

Qytetarët do të votojnë për të zgjedhur deputetët e rinj të Parlamentit të Shqipërisë. Janë rreth 3.5 milionë banorë që kanë të drejtë vote, nga këta 136.239 janë votues të rinj që do të hedhin votën e tyre për herë të parë.

Në të gjithë vendin janë në total 5362 qendra votimi dhe 90 komisione zonale të administrimit zgjedhor. Gjithashtu, Policia e Shtetit ka forcuar masat e sigurisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Edhe selitë diplomatike janë marrë nën ruajtjen e komandove gjatë këtyre ditëve.

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Klement Zguri ka votuar sapo ka nisur procesi tek Liceu Artistik në rrugën e Elbasanit, qv nr.1730/1.

/tvklan.al