Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në kuadrin e pjesëmarrjes në Forumin e 5-të Global të Baku-së, zhvilloi sot takime të veçanta dypalëshe me mikpritësin: Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe Presidentin e Gjeorgjisë, Giorgi Margvelashvili.

Në takimin me Presidentin e Azerbajxhanit Aliyev, Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve si dhe vullnetin e palës shqiptare për t’i çuar më përpara dhe intensifikuar edhe më shumë ato, veçanërisht në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik.

Duke vlerësuar rolin personal të Presidentit Aliyev në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, Presidenti Nishani nënvizoi gjithashtu se falë vullentit të përbashkët dhe mundësive reale që ekzistojnë, marrëdhëniet mes dy vendeve mund të pasurohen më shumë me shkëmbime vizitash në nivel të lartë. Me një theks të veçantë për bashkëpunimin ekonomik, Presidenti Nishani u shpreh se:

“Projekti i gazsjellësit TAP po zbatohet me shumë sukses në pjesën e territorit shqiptar dhe do të hapë perspektiva të tjera bashkëpunimi mes dy vendeve, me mundësi shtrirjeje më pas edhe në vende të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.”

Kreu i Shtetit e siguroi Presidentin Aliyev se kompanitë azere janë shumë të mirëpritura për të eksploruar tregun shqiptar dhe mundësitë e bashkëpunimit apo të investimit në Shqipëri. Gjithashtu, të dy Presidentët shprehën interesin dhe gatishmërinë për të nxitur më tej bashkëpunimin ekonomik e tregtar dhe kontaktet e drejtëpërdrejta mes kompanive të biznesit mes dy vendeve.

Ndërsa në takimin me Presidentin e Gjeorgjisë, Giorgi Margvelashvili u bisedua për forcimin e marrëdhënieve të përbashkëta, bazuar në vizionin, vlerat dhe interesat e përbashkëta, ku një vend të veçantë zuri interesi për çështjet e sigurisë në rajonet ku dy vendet bëjnë pjesë.

Gjatë pjesëmarrjes në Forum, Presidenti Nishani shkëmbeu biseda të shkurtra dhe me një numër homologësh apo pjesëmarrësisht me reputacion ndërkombëtar në këtë aktivitet./tvklan.al