NishaniPresidenti Bujar Nishani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 7 në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i kthyer për rishqyrtim në Kuvend nga kreu i shtetit, por që u rrëzua nga mazhoranca në seancën plenare të 1 shtatorit.

Kërkesa ligjore që Presidenti Nishani ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese saktëson se, me nenin 7 të këtij ligji është ndryshuar një pjesë e procedurës së zgjedhjes së Zëvëndëskryetarit të KLD-së, dhe sipas rregullit të ri, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me propozim të Presidentit zgjedh nga rradhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi një Zëvëndëskryetar.

Sipas kreut të shtetit ky ndryshim ligjor, që realisht e kushtëzon zgjedhjen e Nënkryetarit vetëm në 3 anëtarë, bie ndesh me nenin 147 të Kushtetutës, në të cilin përcaktohet se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e tij një Zëvendëskryetar që organizon veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe kryeson mbledhjet e tij në mungesë të Presidentit të Republikës.”

Presidenti i Republikës sqaron se neni 7 i ligjit për KLD-në është një cënim shumë i rëndë i parimit të ndarjes së pushteteve dhe për më tepër i paautorizuar nga Kushtetuta, e cila në nenin 147, pika 3 e saj nuk i ka deleguar kompetenca ligjvënësit të zakonshëm, për të përcaktuar mënyrën e zgjedhjes së Zëvëndëskryetarit.

Ky nën ka kapërcyer caqet e vendosura nga Kushtetuta dhe përmes tij është prekur parimi i hierarkisë së normave, -thuhet në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i Republikës i referohet edhe një tjetër vendimi të kësaj gjykate, atij të vitit 2002, sipas të cilës, “përderisa Kushtetuta ka trajtuar organizimin dhe funksionimin e këtyre institucioneve dhe statusin e drejtuesve të tyre, ajo ka përcaktuar njëkohësisht edhe kufijtë e të drejtave të tyre. Për funksionet kushtetuese të organeve, atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji”.

Presidenti sqaron se të njëjtin qëndrim, Gjykata Kushtetuse ka mbajtur edhe në një tjetër vendim atë të vitit 2006, duke arritur në përfundimin se, “Kur rregullimi kushtetues parashikohet shprehimisht prej saj, ai detyrimisht do të zbatohet drejtpërdrejt. Përmbajtja e dispozitës kushtetuese nuk mund të mënjanohet ose të tejkalohet duke i dhënë përparësi akteve juridike që dalin në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës”.

Në vijim të logjikës juridike në kërkesën e institucionit të kreut të shtetit thuhet se Kushtetuta ka përcaktuar qartë se Presidenti do të propozojë një nga anëtarët e KLD-së si Zëvendëskryetar dhe se në pikën 1 të nenit 124, përcakton se Gjykata Kushtetuese është garante e respektimit të Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj.

Është detyrë e legjislatorit, sqarohet në objektin e kërkesës, që të respektojë me fanatizëm zbatimin e Kushtetutes dhe të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar respektimin e atyre parimeve të sanksionuara në Kushtetutë dhe në instrumentet e tjerë ndërkombëtarë të pranuar nga Republika e Shqipërisë.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke qënë një organ i cili në funksionin e tij është permanent, me një anëtarësi që nuk vepron me kohë të plotë, por ku çdo anëtar i zgjedhur është i barabartë, nuk gjen mbështetje iniciativa ligjvënëse për të përcaktuar rrethin e anëtarëve prej nga do të zgjidhet Zëvendëskryetari.

Rregulli i ri ligjor shuan pozitën e barabartë të anëtarëve të KLD-së, në kundërshtim me Kushtetutën, e cila nuk ka dashur të bëjë asnjë dallim midis anëtarëve të zgjedhur që marrin pjesë në Këshill.

Zgjedhja e një gjyqtari nga anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që janë zgjedhur nga trupa gjyqësore nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe as jurisprudencën e saj referuar nenit 147/3 të Kushtetutës.

Ajo, sqaron kreu i shtetit, do të ishte një garanci më tepër për pavarësinë e sistemit gjyqësor si dhe për balancën e pushteteve, duke e ruajtur KLD nga çdo abuzim politik apo ndërhyrje e maxhorancës parlamentare në ushtrimin e funksioneve të KLD, duke patur në konsideratë qëllimin për të cilin është krijuar.

Me anë të kësaj kërkese, kreu i shtetit kërkon gjithashtu edhe pezullimin e dispozitave të këtij ligji deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, si dhe i kërkon trupës gjyqësore që t’i drejtohet Komisionit të Venecias, në mënyrë që të japë një opinion të specializuar në lidhje me ndryshimet që u bënë në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Argumentin ligjor Presidenti Nishani thotë se e mbështet edhe në rekomandimet e Komitetit të Ministrave ‘Mbi Pavarsinë, Eficensën dhe Rolin e Gjyqtarëve’ ku thuhet se reflektohet preferenca e ekzistencës së një Këshilli Gjyqësor, apo të çdo lloj autoriteti tjetër, i cili në ushtrimin e funksioneve të tij sa i takon përzgjedhjes dhe karrierës së gjyqtarëve, duhet të jetë i pavarur nga qeveria dhe administrata, në mënyrë që të ndalohet abuzimi politik në emërimin e gjyqtarëve.

Edhe Komisioni i Venecias është shprehur se pjesën më të madhe të Këshillit Gjyqësor duhet ta zënë gjyqtarët, të cilët, në pjesën më të madhe duhet të jenë të zgjedhur nga vetë trupa gjyqësore.

Një tjetër rekomandim, ai i Komitetit të Ministrave ‘Mbi Pavarësinë, Eficensën dhe Përgjegjësitë e Gjyqtarëve’ përcakton qartë se Këshillat për Gjyqësorin janë autoritete të pavarura, të krijuara me ligj ose Kushtetutë, përmes të cilëve kërkohet të mbrohet pavarësia e gjyqësorit dhe gjyqtarve në veçanti në mënyrë që të realizohet një funksionim eficient i sistemit gjyqësor.

Në ushtrimin e funksioneve të tyre këshillat për gjyqësorin nuk duhet të interferojnë me pavarësinë e gjyqtarve.

Në kërkesën që Presidenti Nishani ka depozituar në Kushtetuese sqarohet gjithashtu se edhe Magna Carta e Gjyqtarve, në pikën 13 të saj përcakton qartë se këshillat për gjyqësorin janë të ngarkuar për të garantuar pavarësinë e gjyqësorit nga pushteti legjislativ dhe ekzekutiv dhe se këto këshilla duhet të përbëhen nga gjyqëtarë ose në pjesën më të madhe të përbërë nga gjyqtarë, të cilët zgjidhen nga trupa e gjyqtarëve.

Kërkesën e tij, kreu i shtetit e mbështet edhe në një tjetër dokument të Keshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, sipas të cilit, pavarësia e gjyqësorit mund të kërcënohet nëse dobësohet organi i ngakuar për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit, të cilat mund të konsistojnë në ndërhyrjet në përbërjen e Këshillit të Drejtësisë, duke reduktuar kompetencat e tij, apo duke reduktuar mjetet financiare të vëna në dispozicion të Këshillit.

Këto ndërhyrje shumë herë kanë përbërë kërcënim për pavarësinë e gjyqësorit dhe trupa e gjyqtarëve në shtete të ndryshme të Europës, herë pas here i është drejtuar Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europian, duke vënë në dijeni ndërhyrjet e bëra nga qeveritë dhe nga politika në përbërjen dhe funksionimin e këtyre këshillave.

Ky Këshill e konsideron të papërshtatshëm kufizimin e autonomisë së Gjyqësorit nga autoritetet e tjera për të vendosur në lidhje me
metodat e funksionimit të tij.

Në sistemet parlamentare, Këshillat për Gjyqësorin duhet të drejtohet veç nga Presidenti, i cili qëndron mbi palët dhe garanton balancën e pushteteve.

Ndërsa, në sisteme të tjera, ai parashikon se Këshillat për Gjyqësorin duhet të kryesohen nga një gjyqtar, që është edhe anëtarë i Këshillit.

Presidenti thekson se opinioni i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë nuk ka rregullime të veçanta përsa i përket Zëvëndeskryetarit, por përsa kohë standardet dhe udhërrëfyesit orientohen drejt një shumice të plotë të gjyqtarëve në Këshill të Drejtësisë, apo edhe rastit të kryesimit të Këshillit nga një gjyqtar, kjo do të thotë që çdo zgjidhje ndryshe do të përbënte rrezik në garantimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe funksionimit të atij Këshilli, duke iu referuar qëllimit për të cilin është krijuar.

Tv Klan