Ekoja e rëndë e krimeve të regjimit komunist në Shqipëri ka mbërritur në Parlamentin Europian, përmes konferencës së organizuar nga Eurodeputeti Louis Michel, i grupimit Liberal dhe Demokrat në Parlamentin Europian, në bashkëpunim me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Europian, Ramadan Gjanaj.

I ftuari i nderit, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është vlerësuar maksimalisht nga Eurodeputeti Louis Michel për faljen kombëtare që ka kërkuar për krimet e komunizimit në emër të shtetit shqiptar.

Presidenti Nishani e ka frymëzuar Louis Michel për një fjalim prekës mbi krimet e regjimit komunist dhe një leksion të mprehtë demokracie, që tashmë është rrallë të dëgjosh në Parlamentin Europian.

Louis Michel – Eurodeputet: 

“Duke kërkuar falje për krimet e regjimit komunist në emër të kombit tuaj, ju ia dolët që të rivizitoni historinë në mënyrë të ndershme dhe objektive. Ju keni dëshmuar gadishmërinë tuaj për t’i sjellë drejtësi çdo viktime të regjimit komunist, çdo të burgoruri politik, çdo refugjati, ashtu si edhe personave që janë persekutuar nga regjimi komunist”. 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është shprehur se shqiptarët kanë detyrim të dokumentojnë krimet e komunizmit dhe të pastrojnë ndërgjegjien kolektive nga çdo hije e errët e së kaluarës.

Bujar Nishani – President i Republikës: 

“Kemi nevojën dhe përgjegjësinë t’i dokumentojmë ato krime, kemi detyrimin të lexojmë pambarimisht ‘Rrno me rrëfye’ të At Zef Pllumit, ‘Nën hijen e Rozafës’ të Sami Repishtit dhe të pastrojmë ndërgjejgjen tonë të përbashkët shoqërore nga çdo hije e errët e së kaluarës, duke u mësuar brezave të rinj mbi të kaluarën e hidhur, në mënyrë që ajo të mos përsëritet kurrë më! Pas një vonese të gjatë e të pajustifikuar, në Shqipëri është ngritur dhe konstituuar Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të Komunizmit, i cili shpresojmë se do t’i përmbushë pritshmëritë e të përndjekurve dhe viktimave të regjimit, për t’ua qetësuar të paktën shpirtin si dhe për të gjetur eshtrat e të parëve.”

Ish – Ministri i Jashtëm i Belgjikës Louis Michel, që është aktualisht Eurodeputet, ka cituar Viktor Hugo për të përkufizuar takimin e tij dhe mbresat që i la Presidenti i Republikës.

Louis Michel – Eurodeputet:

 “Po citoj Viktor Hygo: Nuk mjafton që të jesh Republikë. Duhet të jesh liria. Nuk mjafton të jesh demokracia, duhet të jesh humanizmi. Një njeri duhet të jetë një popull dhe një popull duhet të jetë një armë. Kur takova Presidentin e Republikës së Shqipërisë sot, pata përshtypjen se takova dhe një njeri dhe një armë”.

Por krimet e regjimit komunist nuk janë trajtuar ende tërësisht, siç e ka venë në pah edhe Deputetja Mesila Doda.

Në konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të Parlamentit Europian, ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës pranë Bashkimit Europian, si edhe shqiptarë të diasporës, që janë persekutuar nga regjimi komunist.

Tv Klan