PresidentiNë një kohë kur mazhoranca ka paralajmëruar shkarkimin e Guvernatorit Ardian Fullani në seancën plenare të së enjtes, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka deklaruar në studion e emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu se e drejta e propozimit të Guvernatorit të ri sipas Kushtetutës i takon kreut të shtetit.

Presidenti sqaroi se ligji nuk përcakton kritere nëse kreu i institucionit më të lartë financiar në vend duhet të jetë një prej anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Bujar Nishani – Presideni i Republikës së Shqipërisë:

“Nëse Parlamenti do ta shkarkojë natyrisht që parashikohet e gjithe procedura në Kushtetutën e vendit dhe në ligjin që do të kemi një Guvernator të ri. Kushtetuta qartazi e përcakton që propozimin për Guvernatorin e ri e bën Presidenti i Republikës”.

Blendi Fevziu – Gazetar, “Opinion”:

Kushtetuta e sqaron këtë zoti Nishani por pjesa më e madhe e njerëzve të financave shprehen që Presidenti është i detyruar të emërojë një prej anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, i shkruar në ligjin për Bankën e Shqipërisë.

Bujar Nishani – Presidenti i Republikës së Shqipërisë:

“Jo, nuk është e saktë. Nuk ka asnjë kriter në ligjin për Bankën e Shqipërisë. Kriteret kanë të bëjnë me shtetësinë e personit që duhet të zgjidhet Guvernator, me arsimimin e tij dhe eksperiencën në fushën bankare. Këto janë kriteret e ligjit”.

Ndaj dhe nisur nga detyrimi kushtetues në përzgjedhjen e Guvernatorit të ri, Presidenti Nishani u shpreh i gatshëm qe të bashkëpunojë me mazhorancën.

Edhe pse tha se në dy takimet e zhvilluara me kryeministrin Rama nuk është folur për emra konkret, i pyetur nëse propozimet e tij mund të hidheshin poshtë nga mazhoranca, kreu i shtetit sqaroi se secili duhet të mbajë përgjegjësitë e veta.

Blendi Fevziu – Gazetar, “Opinion”:

Do të ketë konsultime paraprake apo do të veprohet me dekret siç veprohet në raste të tjera?

Bujar Nishani – Presidenti i Republikës së Shqipërisë:

“Jam tërësisht i angazhuar që të bashkëpunoj për këtë çështje. Do të diskutojmë, do të bisedojmë, nuk do të ketë një vendim në mënyrë të njëanshme dhe në mënyrë sfiduese. Nuk është vendi për të bërë sfida ndaj njërit – tjetrit.”

Blendi Fevziu – Gazetar, “Opinion”:

Po nqs kandidaturat tuaja zoti President do të rrëzohen nga mazhoranca, çfarë do të ndodhë me Bankën e Shqipërisë, do të mbetet pa Guvernator?

Bujar Nishani – Presidenti i Republikës së Shqipërisë:

“Atëherë gjithësecili të marrë përgjegjësinë që i takon.”

Nuk e fshehu dëshirën për të parë në krye të Bankës së Shqipërisë një Guvernator shqiptar, por përjashtoi çdo kandidaturë me profil politik.

 Blendi Fevziu – Gazetar, “Opinion”:

A është diskutuar në këto dy takime me Kryeministrin për një Guvernator të huaj?

Bujar Nishani – Presidenti i Republikës së Shqipërisë:

“Nuk ka pasur asnjë diskutim për emra konkret. Ka pasur përfaqësues të ndryshëm të qeverisë dhe të Parlamentit që janë shprehur publikisht për një Guvernator të huaj, por unë besoj që kjo është një çështje që Shqipëria e ka kaluar që 102 vite më parë.

Shqipëria është një vend sovran prej 102 vitesh, ka krijuar eksperiencë dhe ka mjaft djem dhe vajza, burra dhe gra të zotë shqiptarë, të aftë që drejtojnë fatet e vendit dhe unë nuk jam nga ata President që e shikoj realitetin e vendit tim në mënyrë disfatiste.

Nëse Presidenti i Republikës shkon me një zgjedhje e cila i përfshin këto elementë që të cilët janë të papranueshëm edhe për mua, le të themi  backround-i politik, aktivitete politike apo probleme të tjera të cilat njihen nga opinion publik apo nga rrethet bankare vendase apo ndërkombëtare natyrisht kjo do të ishte një përgjithësi shumë e madhe e Presidentit të Republikës, për të cilën jam i bindur që nuk do ta ndërmerrja si hap”.

Kreu i shtetit tha se për arrestimin e Guverantorit ishte njoftuar përmes mediave.

 Bujar Nishani – Presidenti i Republikës së Shqipërisë:

“Nuk kam pasur asnjë informacion që do të arrestohej. Unë jam informuar si gjithë opinioni publik, si gjithë qytetarët e tjerë të vendit, përmes mediave”.

Blendi Fevziu – Gazetar, “Opinion”:

Ju mendoni se Presidenti i Republikës është një qytetar që duhet informuar përmes mediave apo kur bëhet fjalë për arrestimin e numrit 4 apo 5 të shtetit duhet të ketë një njoftim paraprak?

Bujar Nishani – Presidenti i Republikës së Shqipërisë:

“Një detyrim ligjor të shkruar në akte të caktuara për t’u njoftuar për arrestime të kësaj natyre nuk ka, por në raste të tilla, kur bëhet fjalë për institucione të rëndësishime që kanë ndikime të drejtpërdrejta të sigurisë së vendit, qartësisë, mendoj që duhej të kishte një informacion për vendimmarrjen përfundimtare”.

Gjatë intervistës së dhënë në emisionin “Opinion”, Presidenti Nishani pohoi se lidhur me vjedhjen në Bankën e Shqipërisë ishte njoftuar personalisht nga Guvernatori Fullani, menjëherë pasi Banka e denoncoi vjedhjen dhe se Guvernatori e kishte garantuar për stabilitetin e financave në vend.

Presidenti tha se zoti Fullani mbetet guvernator i Bankës derisa nuk ka një vendim të Parlamentit për ta shkarkuar atë.

Tv Klan