NishaniPresidenti i Republikës Bujar Nishani e ka konsideruar të paqartë dhe të paargumentuar kërkesën e 39 deputetëve të mazhorancës për të shkarkuar nënkryetarin e KLD-së Elvis Cefa dhe anëtarin e zgjedhur nga parlamenti Lulzim Lelçaj. Në mbledhjen me dyer të mbyllura që zgjati për disa orë kreu i shtetit në cilësinë edhe të kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë tha se kjo kërkesë vë nën akuzë të gjithë Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Ka një material bashkëlidhur i cili së pari është i pa plotë dhe i pa qartë për shkaqet dhe arsyet përse Kuvendi nis këtë proces. Akuza që bëhet, duhet thënë është akuzë dhe jo shkak, fokusohet tek shpërdorimi i detyrës dhe shkeljet e ligjit. Kjo kërkesë vë përpara përgjegjësisë në kontekstin e akuzës të gjithë punën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi të gjitha vendimet e KLD-së janë kolegjiale dhe mbi bazën e votës të çdo anëtari të KLD-së. Të dy anëtarët kanë vetëm nga një votë në procesin e vendimmarrjes”.

Nishani foli për një sulm politik të  ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke thënë se për një kohë të gjatë KLD si institucion dhe anëtarë të caktuar të KLD-së, përfshi edhe zotin Çefa janë ndeshur me akuza politike nga institucionet e politikës.

Duke e gjykuar këtë iniciativë të një pjesë të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të cilët janë përfaqësues “par exellence” të politikës,  mbi një institucion i cili në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë është një institucion i pavarur nga politika, është një institucion i cili ka një mision dhe një detyrë shumë të rëndësishme për të emëruar gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë të Shkallës së Parë dhe të Apelit, një institucioni cili ka për të detyrë për të promovuar gjyqtarët e Shkallë së Parë dhe Apelit, ka për detyrë që të monitorojë veprimtarinë ligjore të gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, ka për detyrë të ruaj integritetin dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, ta garantojë atë pavarësi, një institucion i cili duhet të konsolidojë integritetin e çdo gjyqtari. Pra ky vihet në mënyrë të pajustifikuar, të paargumentuar, të pa mbështetur në ligj, në kundërshtim me frymën dhe germën e Kushtetutës, nën një sulm politik nga pushteti politik”.

Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë tha se sfidat që ka sistemi gjyqësor kërkojnë një qasje dhe reforma shumë të mëdha të cilat duhet të synojnë “sundimin e ligjit” dhe jo sundimin e individëve apo pushteteve të caktuara qoftë edhe ai i pushtetit politik.

Në fakt ka një konflikt të madh interesi në rastin e përballjes midis politikës dhe sistemit gjyqësor sepse njerëzit e korruptuar në mes politikanëve, njerëzit e korruptuar në mes pushteteve vendimmarrëse që përdorin pasuritë publike janë ata të cilët do të gjykohen nga njerëzit e gjyqësorit, do të gjykohen nga gjyqtarët, prandaj krahas asaj sfide të madhe që ka sistemi ynë i drejtësisë dhe gjyqësori në veçanti për t’u reformuar, për të përmirësuar procedurat, kodet, infrastrukturat, nivelin profesional të gjyqtarëve, trajnimin e tyre. Natyrisht ky është një konflikt i madh interesi dhe do të jetë në vijimësi një konflikt interesi, por unë besoj se përgjegjësia dhe detyra e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë dhe veçanërisht e atyre individëve që ushtrojnë detyra të ndryshme, përgjegjësi të ndryshme, mandate të ndryshme është që t’i qëndrojnë besnik parimeve universale të demokracisë, t’i qëndrojnë besnik parimeve dhe detyrim-përcaktimeve kushtetuese të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, t’i qëndrojnë besnik përcaktimeve ligjore dhe parimeve mbi të cilat bëhet një demokraci funksionale”.  

Këshilli pas diskutimeve, vendosi me shumicën e votave që t’i dërgojë Kuvendit të Shqipërisë një informacion shpjegues lidhur me vendimmarjet kolegjale të KLD-së, të cituara në materialin e nënshkruar nga deputetët, pavarësisht faktit se kjo kërkesë i adresohet dy anëtarëve të KLD të zgjedhur nga Kuvendi. Gjatë diskutimeve, disa anëtarë të KLD propozuan që ky informacion t’i dërgohet edhe Komisionit të Helsinkit në Kongresin Amerikan si edhe Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit Europian.

Tv Klan