Nishani-MichiganMe ftesё tё “Qendrёs Weiser pёr Demokracitё e Reja”, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vizitoi Universitetin e Michigan-it ku mbajti edhe një ligjëratë.

Duke folur për sukseset e vendit në vitet e fundit, Presidenti Nishani veçoi marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian.

Bujar Nishani – President i Republikës: “Shoqëria shqiptare ka pësuar, gjatë njëzet e katër viteve të fundit, transformimin më të thellë, më të gjerë dhe më intensiv në historinë tonë kombëtare. Statusi kandidat do të thotë sipërmarrje për reforma më të shpejta dhe më të thella. Politika dhe institucionet shqiptare kanë vullnetin konsensual për të ndërmarrë nismat e duhura, me qëllim forcimin e stabilitetit demokratik, stabilitetit ligjor, stabilitetit ekonomik dhe administrativ, edhe për faktin se investitorët do të ndihen, kësisoj, më të sigurt”.

Kreu i shtetit e cilësoi Shqipërinë si një faktor të rëndësishëm për rajonin dhe perspektivën europiane.

Bujar Nishani – President i Republikës: “Ballkani Perëndimor është futur sot në një rrugë pa kthim, atë që të çon drejt shtëpisë së përbashkët, Bashkimi Evropian. Politika e Jashtme e Republikës së Shqipërisë është e orientuar pa ekuivok në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, në shërbim të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në rajon e më gjerë, parakushte edhe për integrimin evropian”.

Si një vend anëtarë i NATO-s, Shqipëria është rreshtuar kundër terrorizmit duke kontribuar me logjistikë dhe forca ushtarake.

Bujar Nishani – President i Republikës: “Shqipëria u rreshtua menjëherë në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit. Autoritetet shqiptare vunë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë, territorin e saj, bazat ushtarake dhe të gjitha burimet infrastrukturore dhe njerëzore që zotëron. Më tej, Shqipëria dërgoi trupa ushtarake për misionet në Afganistan e Irak. Shqipëria, në bashkëpunim me aleatët po mbështet Forcat e Armatosura të Irakut në luftën kundër ISIS-it”.

Në përfundim të leksionit, Zoti Nishani u përball me një surprizë pasi të pranishmit i uruan ditëlindjen.

Tv Klan