Ceremonia në Pallatin Quirinale dhe takimi me Presidentin Sergio Mattarella shënuan nisjen e vizitës së Presidentit Nishani në Itali.

Duke e vlerësuar rolin e Italisë në proceset demokratike të Shqipërisë, Presidenti Nishani theksoi se përballja me krimin e organizuar e veçanërisht me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit është një sfidë shumë e rëndësishme, pasi ato janë shndërruar në një kërcënim në rritje si për qytetarët shqiptarë, por po aq edhe për qytetarët italianë të cilët mund të vuajnë të njëjtat pasoja.

Në këtë kontekst, Presidenti Nishani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes të gjitha llojeve të agjencive ligjzbatuese të të dyja vendeve.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, Presidenti Nishani vlerësoi ekspertizën italiane, si dhe theksoi se pas kalimit të ndryshimeve kushtetuese me konsensus të plotë vjen hapi tjetër dhe më i rëndësishëm, ai I implementimit dhe monitorimit të këtij implementimi për të cilën ndihma italiane do të ishte shumë domethënëse, veçanërisht në moskapjen politike të mekanizmave të drejtësisë.

Duke iu referuar bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Nishani vlerësoi nivelin e arritur deri tani, por theksoi gjithashtu se mundësitë e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve janë edhe më të mëdha.

Kreu i shtetit u shpreh besimplotë se mbështetja e Italisë në kuadrin e vendimit të hapjes së negociatave të aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian do të jetë shumë domethënëse.

Në kuadrin e vizitës zyrtare në Romë, Presidenti Nishani, zhvilloi takime edhe me Presidentin e Senatit italian, Pietro Grasso, si dhe Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Senatit, Pier Ferdinando Casini, me të cilët bisedoi për forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, duke përfshirë dhe dimensionin parlamentar.

Tv Klan