Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u dekorua nga Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev, me urdhrin më të lartë të Republikës së Bullgarisë “Stara Planina” të Gradës së Parë, me motivacionin: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve bullgaro – shqiptare”.

“I dashur Bujar, zoti President, është një nder i madh për mua të të vlerësoj me nderimin me të lartë të Bullgarisë për arritjet tuaja si demokrat, si mik i Bullgarisë, si mik i Ballkanit të zhvilluar dhe në paqe. Ju jeni një nga forcat udhëheqëse në rajon për zhvillim, paqe dhe përparim. Unë vlerësoj shumë lart miqësinë tonë, bashkëpunimin tonë dhe kjo është një shenjë nderimi nga populli bullgar për ju dhe për popullin shqiptar. Jam i sigurtë që në të ardhmen ju do të bëni edhe më shumë për paqen, për demokracinë dhe rajonin”.

Presidenti Nishani e falënderoi Presidentin e Bullgarisë për vlerësimin dhe mirënjohjen.

“Faleminderit shumë zoti President, jam shumë i nderuar dhe i privilegjuar të pranoj këtë nderim si përfaqësues i popullit shqiptar. Ky është një simbol shumë miqësor i Bullgarisë dhe popullit bullgar ndaj popullit shqiptar. Ju jemi mirënjohës për lidershipin që keni treguar në vlerat europiane. Jam i bindur që mbështetja e Bullgarisë ndaj Shqipërisë nuk do të mungojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian”.

Kjo është medalja e dytë e këtij niveli, marrë nga Presidenti i Republikës, pas “Urdhrit të Meritës së Republikës Italiane, Kalorësit të Kryqit të Madh” të marrë nga Presidenti i Republikës Italiane, në vitin 2014, në shenjë vlerësimi për meritat e larta të Kreut të Shtetit shqiptar, në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të thella të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve dhe popujve.

TvKlan