Për Imzot Dario Edoardo Vigano ky është rikthimi i dytë në institucionin e Presidentit. Para tre vitesh ai bashkë me Dom David Gjugja ishin pjesë e stafit shoqërues të Papa Françeskut në vizitën që ai pati në Tiranë. Prefekti i Sekretarisë së Selisë së Shenjtë për Komunikimin dhe përgjegjësi i programit shqip në radio “Vatikani” nderohen nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” për përkrahjen e vlerave njerëzore, shoqërore, kulturore e demokratike të shqiptarëve, përmes redaksisë së gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit .

“Për mua ky dekorim është vlerësim për punën që jo unë por redaksia e Shqipërisë bën për ti treguar popullit shqiptar mbi papën dhe jetën e kishës. Ashtu siç thotë edhe papa, populli shqiptar është i përfaqësuar jo nga një sferë por nga një gamë e gjerë këndvështrimesh që janë ato të traditës fetare përfshirjes kulturore të cilat janë të gjitha të bashkuara pa e humbur veçantinë e secilës. Bashkë me redaksinë e lajmeve e kemi pranuar këtë dekorim me kënaqësi pasi dëshmon lidhjen e ngushtë mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë të Vatikanit”,

tha Dario Edoardo Vigano, Prefekt i Sekretarisë së Selisë së Shenjtë për Komunikim

Si drejtor i Televizionit të Vatikanit deri në 2015, vizita e Atit të Shenjtë në Tiranë, Imzot Dario Edoardo Vigano e sjellë përmes një dokumentari.

Ajo që i bëri shumë përshtypje Papës ishte simboli i shqiponjës. Shpesh herë në fjalimet e tij ai e përmend atë sepse ky simbol e shpreh shumë mirë nevojën e një populli , që i kërkohet vazhdimisht të fluturojë edhe më lart. Bashkëjetesa fetare, një tjetër shembull. Këtu nuk flasim për tolerancë, pra të durosh tjetrin por në Shqipëri ekziston respekti për besimin ndryshe të tjetrit. Dhe për mua ky është një element kryesor e që mua më bëri shumë përshtypje”,

u shpreh Dario Edoardo Vigano.

Në 27 vite marrëdhënie diplomatike Shqipëri-Vatikan, një nga format e komunikimit të besimtarëve katolik me Selinë e Shenjtë është përmes mediave tradicionale, radio, gazetë dhe televizion, por që epoka digjitale ka të tjera kërkesa.

“Në Vatikan kemi media tradicionale nga ato që quhen media të 1900-ës. Aktualisht ka një kulturë digjitale, të cilat po shkojnë drejt një sistemi komunikimi multimedial. Fjala kyçe është “user first”, te kuptosh cilat janë nevojat e njerëzve, fare mund të ofrojmë kur flasim për papën, për kishën dhe botën”,

theksoi ai.

TV KLAN