Nishani me ministrinPresidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Kanadasë, John Baird.

Presidenti shprehu mirënjohjen për ndihmën e gjithanshme që Kanadaja i ka dhënë Shqipërisë, dhe veçanërisht për mbështetjen në anëtarësimin e vendit tonë në NATO, duke veçuar kontributin në reformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura, si edhe bashkëpunimin e suksesshëm ekonomik, ku investimet kanadeze në energji, miniera, etj., e kanë shndërruar këtë vend ndër investitorët kryesorë në Shqipëri.

Presidenti vlerësoi lart kontributin e Kanadasë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet njohjes dhe mbështetjes së Kosovës dhe qasjeve të balancuara për zhvillimet rajonale.

Nishani dhe Ministri kanadez shkëmbyen mendime për situatën e sigurisë në Ukrainë, Siri, Irak dhe bënë vlerësime të njëjta për zhvillimet e fundit, duke nënvizuar se vendet tona do të vazhdojnë bashkëpunimin në shërbim të paqes dhe sigurisë.

Ministri i Jashtëm kanadez u prit edhe nga kryeministri Edi Rama.

Ky i fundit theksoi progresin e arritur në rajon, mungesën e konflikteve dhe jetesën në paqe me njëri-tjetrin, por edhe të ndërgjegjshëm për brishtësinë e paqes dhe rrezikut potencial nga rritja e ekstremizmit sot në botë.

Kryediplomati kanadez u prit edhe nga Kryetari i Kuvendit Meta ku u vlerësua roli domethënës i komunitetit shqiptar në Kanada si një urë solide bashkëpunimi mes dy vendeve dhe mes dy popujve.

Tv Klan