Me një ceremoni të zhvilluar në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë nisi vizita zyrtare e Presidentit shqiptar Bujar Nishani në Kosovë.

Pas ceremonie së pritjes krerët e dy shteteve i janë drejtuar presidencës ku presidenti shqiptar u vlerësua me medaljen e “Urdhrit të Lirisë” nga Presidenti Thaçi. Kjo dekoratë ishte shprehje mirënjohjeje për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Shtetit të Kosovës.

Situata politike e trazuar në të dy vendet nuk mund të mbetej jashtë fokusit të këtij takimi, por Kreu i Shtetit shqiptar shpreh bindje në tejkalimin e saj.

Bujar Nishani/ Presidenti i Shqipërisë

“Situata të tilla, siç është aktualisht kjo situate qe kemi ne Shqipëri nuk është se e  ndihmojnë përshpejtimin e procesit por jam i bindur që nuk e ndalojnë.  Çdo vështirësi do të tejkalohet dhe do të ecim në proceset e integrimit në vijimësi”.

I pyetur për çështjen Kombëtare, Presidenti Nishani shprehet se deri tani është bërë shumë punë në këtë drejtim.

‘Sot janë bërë shumë ndërkomunikimi, shkëmbimi i mallrave i njerëzve dhe i ideve dhe absolutisht njësimi në kulturë, dhe në atë që është orientimi ynë fondamental, orientimi i çështjes kombëtare shqiptare”.

Ndërsa Presidenti Thaçi tha se Shqipëria e Madhe është një merak vetëm i Beogradit.

 “Shqipëria e madhe përmendet në Beograd. Me akuzu shqiptaret dhe me justifikuar veprimet destabilizuese në Malin e Zi, Kosovë, Shqipëri “

Nishani u takua edhe me kryeministrin në largim të Kosovës, Isa Mustafa, si edhe me kreun e kuvendit, Kadri Veseli. Mustafa shprehu mirënjohjen e qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për kontributin e madh që Presidenti Nishani ka dhënë për Kosovën, gjatë mandatit të tij në krye të shtetit shqiptar. Presidenti shqiptar nënvizoi besimin e tij për avancimin e proceseve demokratike dhe euroatlantike të Shqipërisë dhe Kosovës. Kreu i shtetit falënderoi kryeministrin Mustafa për punën dhe përkushtimin e tij për fuqizimin e shtetit të Kosovës si dhe avancimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.

Presidenti Nishani do të shpallet “Qytetar Nderi” i Prizrenit, ndërsa të premten këtë titull do ta marrë edhe nga komuna Gjilanit dhe e Drenasit.

/TvKlan