Franca do të zgjedhë sot dy kandidatët finalë për postin e presidentit të ri. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale ka nisur mëngjesin e së dielës nën masa të rrepta sigurie. 50 mijë policë dhe 7 mijë ushtarë janë shpërndarë në mbarë vendin.

Shtetrrethimi në Francë vjen pas sulmit terrorist të së enjtes në Champs-Elysées ku një oficer policie mbeti i vrarë.

Njëmbëdhjete kandidatë konkurrojnë për postin e presidentit të ardhshëm të vendit, me kandidatët kryesore që mbulojnë spektrin politik nga e majta në të djathtën ekstreme.

Më shumë se 45 milionë votues do të vendosin vetëm për dy kandidatë që do të përballen në raundin final, i cili mbahet pas dy javësh.

Katër kandidatët që kryesojnë sondazhet janë konservatori François Fillon, kryetarja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, liberali i qendrës Emmanuel Macron i cili mban edhe vendin e parë në sondazhe dhe Jean-Luc Mélenchon i ekstremit të majtë. Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 20:00 por nuk është e qartë se kur do të jepen rezultatet e para të zgjedhjeve.

Zgjedhjet presidenciale në Francë janë vendimtare për të ardhmen e Evropës dhe një test për të vëzhguar nga afër reagimin e votuesve të zemëruar me establishmentin politik./ TV KLAN