Reshjet e dëborës me intensitet të dobët kanë rinisur përsëri në qarqet Kukës, Shkodër, Dibër, Elbasan dhe Korçë.

Akset nacionale janë plotësisht të qarkullueshme dhe vetëm në ndonjë segment ka nevojë për përdorimin e zinxhirëve.

Punonjësit e emergjencave, Policia e Shtetit dhe gjithë strukturat e angazhuara për përballimin e situatës, gjenden në terren për t’iu gjendur pranë qytetarëve e mjeteve në vështirësi.

Grupet e specialistët të OSHEE janë duke punuar për riparimin e defekteve në disa zona ku ka munguar energjia elektrike.

Në të gjitha zonat e prekura nga dëbora Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale Shtetërore ka shpërndarë e ndihmave ushqimore dhe materiale. Ditën e sotme do të dërgohen ndihma në fshatrat Theth, Ketë, Çajë dhe Selishtë.

Situata në qarqe paraqitet si më poshtë:

QARKU SHKODËR

Në qarkun e Shkodrës të gjitha akset kombëtare janë të qarkullueshme pa probleme. Përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm në disa akse rurale të këtij qarku.

Të qarkullueshme me zixhirë janë akset rrugore Shkodër – Shllak – Temal ,Tamarë – Vermosh, Hadroj – Qafë – Bene ,Fushë Arrëz – Qafë Mali – Fierzë, Fushë Arrëz – Qafë Shllak,  Qafë Çele – Pukë – F.Arrëz, Qafë Qerret – Qelëz- Bardhet – Iballë dhe Shkodër – Bregu Lumit – Theth

Aksi rrugor Shkodër – Theth është i kalueshëm  deri në Qafë Thore

QARKU KUKËS

Të gjitha akset kombëtare në shkallë qarku qarkullohen pa zinxhirë, përjashtuar aksin rrugor Ura e Zapotit-Shishtavec.

Aksi rrugor për në Njësinë Administrative Arrën vazhdon i bllokuar.

Po punohet për hapjen e rrugëve që paraqesin probleme për lidhjen e fshatrave me qendrën administrative.

Në Njësinë administrative Gjinaj ka pasur probleme me furnizimin me energjinë elektrike.

QARKU DIBËR

Në akset rrugore  Qafë Bualli – Peshkopi – Maqellarë – Bllatë, Kuben – Vasie, Ura e Qytezës – Zerqan dhe  Ura e Çerenecit – Steblevë qarkullimi i mjeteve kryhet pjesërisht me zinxhirë.

Në aksin Qafë Bualli – Krastë, qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

Aksi rrugor rural Peshkopi-Lurë vazhdon të jetë i bllokuar, por kalimi i mjeteve kryhet nga aksi rrugor Kurbnesh- Lurë.

Për hapjen e akseve rrugore problematike po punohet me forca dhe mjete.

QARKU KORÇË

Në qarkun e Korçës të gjitha akset kombëtare janë të qarkullueshme. Aksi rrugor Korçë – Boboshticë  – Dardhë  është i kalueshëm me zinxhirë ndërsa aksi Korçë-Ersekë është i kalueshëm me zinxhirë në pjesë të caktuara.

Probleme me furnizimin me energji elektrike ka pasur në fshatin Mollas të bashkisë Kolonjë.

Në qarqet e tjera nuk raportohet për probleme./tvklan.al