Ardhja e 2 negociatorëve të gjithë pranuar nga palët politike në Shqipëri Zv/presidenti i Partive Popullore europiane, David McCallister dhe përfaqësuesi i grupimit social demokrat, Knut Flenckenstein nuk prodhoi asnjë zgjidhje. Negociatat e gjata të kësaj të marte në funksion të afrimit të qëndrimeve të maxhorancës dhe opozitës në Shqipëri dështuan.

Pas dy raundeve takimesh me dy bashkëkryetarët e maxhorancës në kryesinë e Kuvendit dhe më pas me Lulzim Bashën në selinë e Partisë Demokratike dhe raundit të dytë në takime të ndara në ambientet e Pallatit të Kongreseve, McAllister dhe Fleckenstein dolën me një deklaratë për shtyp. Dy negociatorët pranojnë se propozimet e tyre u pranuan të gjitha nga maxhoranca, por u hodhën poshtë nga opozita.

Në negociata, Kryeministri Rama duket se ka rënë dakord për të ndryshuar datën e zgjedhjeve, si dhe mundësinë e disa ndryshimeve parazgjedhore në strukturën qeveritare, por Lulzim Basha ka qenë i prerë se qeveria teknike është kusht i pa negociueshëm.

Dy anëtarët e Parlamentit Europian paraqitën propozime për të bërë përpara, të cilat përfshijnë dekriminalizimin, luftën kundë lëndëve narkotike, masa teknike për përmirësimin e proçesit zgjedhor dhe për ndërtimin e besimin politik. Ata propozuan gjithashtu ide për diskutimi e datës së zgjedhjeve dhe ndryshime të mundshme para-zgjedhore në strukturën qeveritare për të ndëtuar besimin afat-gjatë në sistem.

Në krahun e opozitës pati dakordësi në pikat e propozuara për sa kohë vetting-u do të votohet në parlament. Partia Demokratike mbajti qëndrimin e saj për caktimin e një qeverie teknike dhe adoptimin e sistemit elektorinik të votimit për sigurinë e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kjo deklaratë duket se i jep fund jo vetëm qëndrimit të McAllister dhe Fleckenstein në Tiranë, por edhe përpjekjeve të tyre për të gjetur një zgjidhje përmes negociatave. Pas darkës në restorant “

Padam”

, ata pranuan se nuk do të ketë me negociata.

Drafti që palët kanë diskutuar në tryezë mësohet se ishte hartuar nga ambasadorët e SHBA, BE dhe OSBE. Pas dështimit të këtyre negociatave palët kthen sërish në pikën fillestare, ku ato qëndrojnë prej afro 2 muajsh tashmë, njëra palë brenda institucioneve të ndarë në zyrat e Kryeministrit Rama dhe Kryeparlamentarit Meta dhe në mes të tyre në bulevard brenda një çadre opozita.

Tv Klan