aplikacioni

Ekskursionet në natyrë dhe alpinizmi nuk janë më një mollë e ndaluar për të verbërit. Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Strasburgut kanë krijuar një aplikacion për smartphone, i cili ndihmon të verbërit të përzgjedhin shtigjet ku duhet të ecin dhe i paralajmëron për çdo rrezik. Aplikacioni quhet Navi’Rando dhe është i lidhur me sistemin e hartave satelitore GPS. U flet të verbërve në çdo moment përmes një zëri elektronik, duke u treguar kthesat apo gropat.

Testin e kreu një grup ekskursionistësh të verbër, i përbërë prej 5 vetash. Ata përshkuan një distancë prej 80 kilometrash në zonën pyjore Vosges, në lindje të Francës, deri kufirit me Gjermaninë. Rrugëtimi zgjati 6 ditë. Pjesëmarrësit u shprehën mjaft të kënaqur me apilkacionin, që siç thanë i kishte bërë të përjetonin ndjenjën e lirisë.

Aplikacioni, ende në faza eksperimentale, shfrytëzon një teknologji mjaft të saktë, që përdoret për të drejtuar dronët. Shkencëtarët do të kryejnë përmirësime, me qëllim që ai të jetë i përdorshëm edhe në zona ku sinjali GPS është mjaft i dobët.

Tv Klan