Paolo Mazzoleni do të gjykojë derbin e mbijetesës Vllaznia – Tirana sot në “Loro Boriçi”. Federata Shqiptare e Futbollit vendosi t’i besojë një gjyqtari të Serie A këtë ndeshje delikate. Mazzoleni mban stemën e FIFA-s prej 2011, ndërsa është pjesë e ligës kryesore në Itali prej 12 vitesh.

Paolo Mazzoleni nuk është i vetmi gjyqtar i huaj, të cilit i është besuar një ndeshje e Superligës për këtë sezon, pasi shqiptarët janë kontestuar vazhdimsht si të njëanshëm. Megjithatë klubi shkodran me anë të një deklarate në faqen zyrtare thotë, se u mor vesh nga mediat për gjyqtarin italian edhe pse ishte rënë dakord për një shqiptar.

Të dy ekipet kanë qëndruar të grumbulluar për të përgatitur këtë sfidë, me Vllazninë që u zhvendos në Ulqin për disa ditë. shkodranët kanë shumë mungesa dhe prej minutës së parë priten shumë të rinj. Te Tirana rikthehen kapiteni Karabeci dhe qendërmbrojtësit Teqja e Turtulli.

Vllaznia i shpëton rënies edhe me një barazim, ndërsa Tiranës i duhet fitorja që mos të ketë mendjen te ndeshjet e tjera të javës së fundit që do të luhen të gjitha sot.

Tv Klan