policia_makina2_14Policia e Shkodrës njoftoi arrestimin e një prej të dyshuarve si autorë të atentatit me eksploziv në banesën e bisnesmenit Bledar Cenka.  Ai është një adoleshent 15-vjeçar, të cilin policia e shoqëroi bashkë me disa persona të tjerë menjëherë pas shpërthimit në lagjen Salo Halili. Personi i dytë i dyshuar i kësaj ngjarje është një 22-vjeçar, i shpallur në kërkim nga policia. Në njoftimin e policisë thuhet se autorët janë banorë të lagjes Guerrile në Shkodër, por nuk jepen më shumë detaje për motivet që i shtynë dy të rinjtë të ndërmarrin këtë akt ekstrem. Dyshimet janë për një konflikt me motive të dobëta mes autorëve dhe bisnsesmenit Bledar Cenka. Në banesat e tyre policia gjeti edhe dy armë zjarri. Shpërthimi në banesën e biznesmenit ndodhi rreth ores 1.30 pas mesnate. Eksplozivi ishte vendosur në derën e jashtme të apartamentit, në katin e 5 të këtij pallati.

Në momentin e shpërthimit, në shtëpi kanë qenë të pranishëm të 8 anëtarët e familjes Canka, mes tyre edhe 3 fëmijë. Fatmirësisht asnjeri prej tyre nuk u dëmtua dhe shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale.

Atentatët me eksploziv kanë vënë në alarm policinë e shtetit. Në katër muaj janë regjistruar 23 të tillë. Një biznesmen u vra javën e kaluar në Durrës në një atentat me tritol, ndërsa pak ditë para këtij krimi, në rrethana të ngjashme mbeti i plagosur rëndë kryetari i komunës Qendër, në Vlorë.