Në kohën që të gjithë menduan se ekonomia greke po shkonte drejt ri-ngritjes, kërcënimi i plasjes së një krize të re në sektorin bankar po shqetëson fqinjin më të afërt me Shqipërinë.

Vetëm gjatë muajit shkurt, janë tërhequr 1.1 miliard euro depozita, raporton Financial Times, duke shënuar rënien më të madhe të tyre që prej verës së vitit 2015-të. Mosmarrëveshjet e qeverisë greke me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe BE-në, për të miratuar këstin prej 6 milard dollarësh, pjesë e paketës së shpëtimit në vitin 2015-të, kanë sjellë sërish probleme dhe kanë detyruar Bankën Qendrore që të rritë fondin e emergjencave për shpëtimin e bankave.

Një faliment i ri kërcënon shtetin helen në qershor. Nëse ndihma nuk jepet atëherë nuk do të ketë më para për të paguar pagat e pensionet. Të parat që po preken nga kjo krizë e re janë sërish bankat, të cilat në vështirësi likuiditeti kanë filluar të vendosin procedura të stërgjata në rast se tërhiqen edhe shuma modeste parash, raportojnë mediat ndërkombëtare.

BE dhe FMN kërkon që qeveria e Syrizës të rrisë sërish taksat dhe të ulë pensionet, në këmbim të këstit të radhës, i cili po mbahet peng që prej muajit dhjetor të 2016-ës.

Tv Klan