Nën kujdesin e Zonjës së Parë, Odeta Nishani dhe kontributin e “Lions Club Tirana Host”, në presidencë u mbajt një mbrëmje bamirësie kushtuar qytetit Amatrice në Itali, që u shkatërrua nga tërmetet e gushtit dhe tetorit të vitit të kaluar.

Kontributet e siguruara nga eventi “Një mbrëmje për Amatricen” do shkojnë për restaurimin e një vepre arti në një nga qytetet e pasur me trashëgimi historike dhe artistike, si Amatrice.

Odeta Nishani, Zonja e Parë:

Kjo mbrëmje është për t’i shprehur shtetit fqinj Italisë, afrimitetin dhe ngushëllimet tona më të përzemërta për tragjedinë e ndodhur nga tërmeti i disa muajve më parë. Populli shqiptar njihet për bujarinë dhe solidaritetin në çdo situata, por me Italinë jam e bindur që çdo shqiptar përveç solidaritetit njerëzor ndjen dëshirën për ta falënderuar dhe shprehur mirënjohje për sa populli fqinj dhe populli italian i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve për më shumë se çerek shekulli demokraci

I pranishëm në këtë aktivitet, ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo tha se kjo mbrëmje bamirësie tregon lidhjet e miqësisë mes dy vendeve.

Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo:

Vlerësoj përpjekjet e popullit shqiptar dhe autoriteteve shqiptare. Edhe rikonstruksioni i veprave të artit është një mundësi e mirë që këta njerëz të fillojnë jetën e tyre normal në Amatrice, duke ndërtuar shtëpitë e tyre tashmë të shkatërruara.

Edhe përfaqësuesit nga Amatrice vlerësuan përpjekjet e shqiptarëve për të ndihmuar shtetasit italian në këtë situatë të rëndë të shkaktuar nga tërmetet shkatërruese të disa muajve më parë./ TV KLAN