Një qen ka ngordhur pasi “iu thye zemra” kur pronari i tij e braktisi në aeroport.  

Qeni i gjinisë femër, i quajtur “Reja Endacake”, nga vetë ata që e mbanin, kaloi një muaj duke u endur rreth terminalit në aeroportin Palonegro në Kolumbi, duke shpresuar që të ribashkohej me pronarin.

Sipas dëshmitarëve, qeni kërkonte me sy pronarin në aeroport, pastaj fshihej i trishtuar në një qoshe të terminalit.

Udhëtarët dhe punonjësit e aeroportit i ofronin ushqim, por qeni mbi 2-vjeç nuk pranonte të hante.

“Supozohet se kishte një pronar, i cili e braktisi, sepse ai nuk u largua kurrë nga aeroporti”,

shkruan The Telegraph.

Qeni po sëmurej nga kequshqyerja dhe u dërgua në një strehë pasi dikush lajmëroi një grup shpëtimi kafshësh.

Qeni dikur i shëndetshëm, ishte aq i dobët sa mezi qëndronte në këmbë.

Sipas veterinerëve, pavarësisht se i është dhënë ushqim dhe ilaçe nëpërmjet injektimit intravenoz, shëndeti i qenit u përkeqësua më tej pasi ra në depresion para se të ngordhte./tvklan.al