Një burrë u desh të luftonte për jetën, pasi u pickua nga një merimangë vdekjeprurëse, e cila ishte fshehur në një tufë bananesh.

59 – vjeçari Paul Jory u helmua nga një specie merimange e njohur si “vejusha false”, rreth 7 milimetra e madhe, që e infektoi me një infeksion mishngrënës në krahun e djathtë.

Mjekët u detyruan ta vendosnin atë në koma të induktuar për 1 javë dhe i hoqën një pjesë të mishit në mënyrë që të nxirrnin helmin.

Paul iu nënshtrua 8 operacioneve, kirurgjisë rikonstruktuese dhe tani ka një shenjë gjigante përgjatë krahut.

“Nuk ishte një merimangë e këndshme, e kishte të shkruar në ballë që ishte e rrezikshme. Kur më pickoi, ndjeva një dhimbje të frikshme, si një shok në të gjithë trupin. Krahu u fry menjëherë. Hipa në një taksi dhe shkova në spital. E fundit gjë që mbaj mend është mjeku që po vinte”,

tha 59 – vjeçari duke folur për “The Sun”.    

Me profesion shef marketingu, Paul u pickua në garazhin e shtëpisë së tij, pasi kishte blerë banane në një dyqan pranë zonës ku banonte, në St Albans të Anglisë, në Maj.

Ai qëndroi 5 javë në spital. Specialistët arritën që t’i shpëtonin krahun, por tani atij i duhet të mësojë sesi ta përdorë atë sërish, pasi i ka mbetur vetëm 40 përqind lëvizshmëri.

Nëse nuk do të kishte shkuar në kohë, Paul mund të kishte humbur jetën pasi helmi do të ishte përhapur me shpejtësi në të gjithë trupin e tij./tvklan.al