rigoletto

Për të tretën herë, regjia e “Rigolettos” i besohet Nikolin Gurakuqit. Pas shfaqjes së 1994 dhe 2005, regjisori e zhvendos operan e Giuseppe Verdit në të tashmen. Pa vendndodhje, “Rigoletto” është historia që përsëritet.

Thuajse 150 vite pas vënies së parë në Itali, fenomeni i korrupsionit, njeriut të pushtetshëm dhe ndëshkimit të të pafajshmit, tingëllon e freskët.

Për sopranon Linda Kazani, që i është besuar roli i Xhildës, ajo shqiptare është e veshur me nota dhimbjeje.

“Rigoletto” do të interpretohet nga baritoni gjeorgjian Gotcha Abdulaze dhe Ylber Gjini ndërsa Dukën, vetëm nga tenori Kirgizstani, Jenish Ysmanov, pas largimit të Armaldo Kllogjerit.

Arsyeja, sipas tenorit, ishte mosnënshkrimi i kontratës dhe mosinterpretimi në mbrëmjen premierë.

Të pyetur nga mediat drejtuesit e Teatrit të Operas dhe Baletit deklaruan:

“Kontratat mund të firmosen ditën e parë ose ditën e 10, kjo nuk ka asnjë lloj rëndësie. Deri në provën gjenerale nuk vendoset absolutisht asnjë njeri kush do jetë kasti i parë”.

“Rigoletto” do të vijë për publikun nga data 21 deri në 25 Janar.

Tv Klan