Një tjetër shqiptar është akuzuar për përfshirje në përgatitjen e grabitjes me armë që iu bë një dyqani bizhuterish në Maltë, më 5 Tetor.

Artan Coku, 25 vjeç, akuzohet se ka ndihmuar autorët e krimit të gjenin zonën e dyqanit, disa ditë para se krimi të ndodhte.

Sipas asaj që shkruan “

The Malta Independent

“, Coku kishte shkuar më përpara në vendngjarje për t’u siguruar për vendndodhjen e biznesit dhe nëse do të ishte i hapur ditën që ndodhi grabitja.

Gjykata, e kryesuar nga gjyqtari Grazio Mercieca, pasi mori parasysh rrethana vendosi që Coku të dërgohet në paraburgim.

Rasti u shty për në javën e ardhshme për të lejuar palët të konsultohen me Prokurorin e Përgjithshëm në lidhje me kërkesat e të akuzuarit.

Të paktën dy persona të maskuar e të armatosur grabitën bizhuteri me vlerë miliona euro në pronësi të Diamonds International.

Pak ditë pas ngjarjes autoritetet arrestuan dy shqiptarë.

Një prej tyre, i identifikuar nga mediat malteze si Daniel Muka, 22 – vjeç akuzohet gjithashtu për tentativë vrasje ndaj oficerëve të policisë.

Kjo pasi, gjatë arrestimit ai shkrepi armën që mbante me vete në drejtim të oficerëve, por fatmirësisht ajo nuk funksionoi. Muka akuzohet gjithashtu për rezistencë të dhunshme, posedim të kokainës dhe posedim të një arme zjarri.

Gjyqi ndaj tyre vijon./tvklan.al